Një shqiptar, i konsideruar si shumë i rrezikshëm është arrestuar nga autoritetet greke në një operacion të zhvilluar në Thermo, në rajonin e Aitoloakarnania. Sipas policisë, bëhet fjalë për një shtetas shqiptar, i cili ishte përfshirë në arratisjen spektakolare të vitit 2019 nga Shërbimi i Migracionit në Athinë. Në atë kohë, ai dhe tre bashkëpunëtorë kishin kërcënuar efektivët me mjete të mprehta dhe armë të improvizuara, kishin marrë nën kontroll një makinë policie dhe kishin hapur zjarr ndaj forcave të rendit, pa shkaktuar fatmirësisht viktima.

Pas arrestimit të atëhershëm në zonën e Rentis, ai u dënua dhe u burgos, por gjatë një leje vendosi t’i rikthehej aktivitetit kriminal. Së fundmi, në bashkëpunim me dy burra dhe një grua, ai tentoi të grabiste një person në zonën e Thermos. Autorët kishin ngritur një barrikadë pranë banesës së viktimës dhe e sulmuan atë, por plani dështoi pasi viktima bërtiti, duke alarmuar banorët e zonës.

Gjatë largimit, autorët qëlluan në ajër me armë automatike dhe u larguan nga vendngjarja. Pas hetimeve intensive, policia arriti të identifikojë automjetin dhe apartamentin tip Airbnb ku ata qëndronin. Në operacionin e ndërhyrjes, u arrestuan të gjithë të dyshuarit. Mes tyre ishin edhe dy shqiptarë të tjerë, të arratisur nga Qendra e Paraburgimit Rural Kassavetia në fillim të janarit 2025.

Gjatë kontrollit në banesë, autoritetet sekuestruan një armë luftarake të tipit kallashnikov, të pajisur me dy karikatorë të lidhur, që përmbanin gjithsej 57 fishekë të kalibrit 7.62 mm. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin kriminal të grupit dhe lidhjet e mundshme me ngjarje të tjera.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb