Partia Demokratike ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me ngjarjet kriminale të ndodhura së fundmi në vend.
PD thekson se kriminaliteti është fotografia e një shteti , “autoriteti i të cilit po sfidohet hapur nga krimi”
“Partia Demokratike kërkon zbardhjen e menjëhershme dhe të plotë të këtyre ngjarjeve dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve. Ne mbështesim çdo punonjës të Policisë së Shtetit që përballet me krimin dhe kryen me profesionalizëm detyrën e tij. Por Shqipëria nuk mund të qeveriset me postblloqe të ngritura pasi është kryer vrasja, me ndjekje policore pasi është rrethuar biznesi dhe me komunikata pasi është qëlluar me armë. Policia nuk mund të jetë gjithmonë një hap pas krimit. Shteti duhet të jetë një hap përpara tij. Pas 13 vitesh në pushtet, Edi Rama dhe qeveria e tij duhet t’u përgjigjen shqiptarëve: si është e mundur që grupe të organizuara të lëvizin me tetë automjete për të rrethuar një biznes, ndërsa armët shkrepen dhe njerëzit vriten apo plagosen në rrugët e vendit?”, shprehet PD.
Deklarata
Brenda pak orësh, Shqipëria është terrorizuar nga tri ngjarje të rënda kriminale, nga Mirdita në Orikum dhe Korçë. Në Ndërfushaz të Mirditës, 65-vjeçari Viktor Bardhi u vra me armë zjarri mëngjesin e sotëm.
Në Orikum, ndërkohë, pronari i një resorti ka denoncuar se është kërcënuar nga persona të armatosur. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë të paktën tetë automjete që mbërrijnë përpara kompleksit, bllokojnë zonën dhe prej tyre zbresin disa persona.
Në Korçë, brenda së njëjtës ditë, armët kanë folur përsëri. Të shtëna në unazën e qytetit kanë lënë një person të plagosur.
Një qytetar vritet në pritë.
Një biznes rrethohet nga një grup që lëviz me tetë automjete.
Një tjetër qytetar plagoset me armë në qytet.
Të gjitha brenda pak orësh.
Kjo është një ditë qe provon se siguria dhe rendi ne Shqiperi jane ne duart e krimit. Kjo është fotografia e një e narkoshteti qe dominohet nga krimi.
Kur një grup mund të organizojë tetë automjete, të lëvizë në formacion, të rrethojë një biznes dhe të kërcënojë pronarin në mes të ditës, nuk kemi më të bëjmë vetëm me një episod të kronikës së zezë. Kemi të bëjmë me një demonstrim force dhe me bindjen e botës së krimit se mund të veprojë në territorin e Republikës pa iu trembur shtetit.
Kur në të njëjtën ditë një qytetar ekzekutohet në Mirditë dhe një tjetër plagoset me armë në Korçë, pyetja nuk është më vetëm se kush janë autorët. Pyetja është: ku është shteti?
Partia Demokratike denon me forcen me te madhe keto akte te renda kriminale dhe dobesine ekstreme te institucioneve ndaj tyre dhe kërkon zbardhjen e menjëhershme dhe të plotë të këtyre ngjarjeve dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve.
Shqipëria nuk mund të qeveriset me postblloqe të ngritura pasi është kryer vrasja, me ndjekje policore pasi është rrethuar biznesi dhe me komunikata pasi është qëlluar me armë.
Pas 13 vitesh në pushtet, Edi Rama dhe qeveria e tij duhet t’u përgjigjen shqiptarëve: si është e mundur që grupe të organizuara të lëvizin me tetë automjete për të rrethuar një biznes, ndërsa armët shkrepen dhe njerëzit vriten apo plagosen në rrugët e vendit?
Problemi nuk është vetëm krimi që shohim. Problemi është pandëshkueshmëria dhe dobësimi i autoritetit të shtetit që i kanë dhënë krimit kurajën të dalë hapur në rrugë.
Shqiptarëve nuk u duhet një version i ri i propagandës së vjetër. U duhet një shtet që kontrollon territorin, mbron jetën dhe pronën dhe që nuk negocion autoritetin e tij me të fortët dhe botën e krimit.
Partia Demokratike, në qeverisje, do ta rikthejë rendin dhe sigurinë publike në krye të detyrave të shtetit. Ne do të shkëpusim çdo lidhje mes politikës, policisë dhe botës së krimit; do të çlirojmë Policinë e Shtetit nga emërimet politike dhe do të promovojmë profesionistët mbi bazën e meritës dhe integritetit; do të forcojmë inteligjencën kriminale dhe hetimin proaktiv për të goditur grupet e organizuara përpara se ato të godasin qytetarët; do të godasim armëmbajtjen e paligjshme dhe asetet financiare të krimit; do të vendosim mbrojtjen e biznesit të ligjshëm nga kërcënimi dhe zhvatja në qendër të politikave të sigurisë; dhe do t’u japim policëve profesionistë teknologjinë, burimet, pagën dhe mbështetjen institucionale që u nevojitet për t’u përballur me krimin.
Nuk premtojmë një Shqipëri pa krim. Premtojmë një Shqipëri ku krimi i trembet shtetit dhe jo qytetari krimit.
