Pas përfundimit të 36 javëve kampionat, skuadrat e renditura në vendet 1 (Egnatia), 2 (Partizani), 3 (Vllaznia) dhe 4 (Skënderbeu), zhvillojnë ndeshje “play off”, sipas shortit më poshtë:

GJYSMËFINALET (17 maj)

PARTIZANI-SKËNDERBEU 1-0 (19 maj)

EGNATIA-VLLAZNIA 0-0

FINALJA PËR VENDET 3-4

Të premten (24 maj)

SKËNDERBEU-VLLAZNIA 19:00

FINALJA E TITULLIT

Të dielën (26 maj)

PARTIZANI-EGNATIA 19:00

* Ndeshjet zhvillohen në stadiumin “Air Albania”; * Dy ekipet finaliste, Partizani dhe Egnatia, do të zhvillojnë finalen për të përcaktuar ekipin kampion. Në rast se do të ketë barazim pas 90 minutave do të ketë shtesë dy herë nga 15 minuta ose penallti. * Dy ekipet e eliminuara, Skënderbeu dhe Vllaznia, do të zhvillojnë ndeshje me një takim për të përcaktuar ekipin e vendit të tretë. Në rast se do të ketë barazim pas 90 minutave të lojës së rregullt, do të ketë shtesë dy herë nga 15 minuta ose penallti. Mirëpo, sa i përket asaj që mund të cilësohet si finalja e vogël, ka një anomali që nuk është llogaritur nga FSHF-ja dhe e bën të pavlefshme për një vend në Europë ndeshjen për të përcaktuar vendin e tretë. Pamundësia e Skënderbeut për të shkuar në Kupat e Europës për shkak të dënimit nga UEFA, bën që ekipet e tjera të kenë siguruar automatikisht pjesëmarrjen. Ndërsa skuadra e katërt që përfiton një biletë europiane është Tirana, e cila e ka mbyllur kampionatin në vendin e pestë.

RREGULLORJA PËR KUPAT E EUROPËS

Vendi i parë në “FINAL 4”: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Champions League;

Vendi i dytë në “FINAL 4”: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League;

Vendi i tretë në “FINAL 4”: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League;

Vendi i katërt në “FINAL 4”: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League nëse Kupa e Shqipërisë fitohet nga një prej tre ekipeve të para në “Final 4”;

Kupa e Shqipërisë: Ekipi fitues i Kupës do të marrë pjesë në turin e parë të Conference League. Në rast se ekipi fitues i Kupës është gjithashtu i renditur në njërin prej tre vendeve të para të “Final 4”, vendin e tij do ta zërë ekipi i renditur më mirë (Skënderbeu i dënuar ia lë vendin Tiranës).

BONUSET NGA FSHF

Pas përfundimit të 36 javëve kampionat, vendi i parë do të marrë 100 milionë lekë të vjetër (Egnatia), vendi i dytë 70 milionë lekë të vjetër (Partizani), vendi i tretë 50 milionë lekë të vjetër (Vllaznia) dhe vendi i katërt 20 milionë lekë të vjetër (Skënderbeu). Klubi kampion i “Final 4” të Superiores do të marrë gjithashtu 100 milionë lekë të vjetër në formën e një çeku bankar. Ndërsa fituesi i Kupës së Shqipërisë do të marrë shifrën e 50 milionë lekëve të vjetër.

NDËSHKIMET

* Kartonët e verdhë të akumuluar gjatë kampionatit nuk do të mbarten në ndeshjet e “Final 4”.

* Kartonët e kuq (teknik) në ndeshjen e fundit të kampionatit nuk do të mbarten në ndeshjet “Final 4”.

* Lojtarët dhe zyrtarët e dënuar me vendim të Komisionit të Disiplinës nuk kanë të drejtë të aktivizohen në “Final 4”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb