Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar zhvillimet më të fundit lidhur me hetimet që përfshijnë AKSHI-n, por dhe çështjen Balluku, duke ngritur pikëpyetje mbi shtrirjen e mundshme të përgjegjësive deri në nivelet më të larta të qeverisë.

E pyetur nga gazetarja Nisida Tufa në emisionin “Kjo javë” në News24 nëse SPAK mund të marrë të pandehur kryeministrin Edi Rama, Lala u shpreh se një gjë e tillë nuk mund të konfirmohet në këtë fazë.

Sipas Lalës, bëhet fjalë për një grup të dyshuar kriminal tek AKSHI, i cili dyshohet se kishte marrë nën kontroll të dhëna sensitive të institucioneve shtetërore, përfshirë serverat dhe të dhënat personale të qytetarëve. Ky grup, sipas saj, kishte mundësi të përdorte këto informacione për shantazh apo për të dëmtuar figura të rëndësishme publike.

“Këtë gjë nuk mund ta them, pasi jam gazetare, jo prokurori i çështjes. Unë flas bazuar te të gjitha të dhënat që disponon. Një grup i dyshuar kriminal kishte marrë nën kontroll të dhëna të institucioneve, serverat e këtij vendi, të dhënat personale të vendit, kishte në dorë që të përbalte dhe shantazhonte persona të rëndësishëm ky grup. Se sa do të shkojë hetimi drejt strukturave qeverisëse, këtë do e shohim dhe ngelet për t’u parë.”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb