Ish-zyrtarja e lartë e Kryeministrisë Alda Klosi dhe pastruesja e saj Rozeta Dobi, ditën e djeshme janë ballafaquar në Prokurori. Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se pas dëshmisë, të dyja ato janë drejtuar sërish për në ambientet e burgut.

Mësohet se Alda Klosi ka dalë duke qeshur nga Prokuroria, por nga ana tjetër të dyja ato i kanë qëndruar besnike dëshmive që kanë dhënën më herët.

Më herët, ish-zyrtarja  ka vendosur t’i qëndrojë besnike versionit të saj të mëhershëm, se në shtëpinë e saj janë vjedhur 120 mijë euro 30 mijë dollarë dhe disa bizhuteri, ndërsa dyshimet thotë se i kishte të pastruesja Rozeta Dobi.

Burimet thanë se ajo iu tha hetuesve se paratë janë të xhaxhait të saj, përkundër kontradiktave që ka me rrëfimin e të vëllait. Ndërsa, këmbëngul se shuma prej 404 mijë eurosh dhe 8500 dollarë që u zbuluan në tubin e aspirimit në shtëpinë e pastrueses nuk i përket asaj, pasi nuk ka disponuar asnjëherë shuma të tilla.

Por, ndërkohë është pastruesja, e cila rrëfen se paratë janë të ish-zyrtares së lartë dhe se ja la t’i ruante e në bashkëpunim me të inskenuan vjedhjen, me qëllim që Alda Klosi të akuzonte ish-burrin e saj me të cilin kishte përplasje.

Dëshmitë e dy grave janë tërësisht të kundërta ndaj prokuroria ka thelluar hetimet, me qëllim që të mund të provojë se paratë i përkasin ish-drejtoreshës së koncesioneve, si dhe të sqarojë rolin e pastrueses rozeta Dobi të djalit të saj, Havierit.

Nënë e bir vijojnë të mbahen në paraburgim nën dyshimet për akuzën e vjedhjes, ndërsa ish-zyrtarja Klosi pritet të përballet të hënën me gjykatën e Apelit të Juridiksionit të përgjithshëm, ku synon një masë më te lehtë sigurie.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb