Kryetari i grupit parlamentar të Partia Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar publikisht duke theksuar se situata ekonomike në vend është arsyeja kryesore për protestën kombëtare të paralajmëruar më 8 Maj.
Sipas Bardhit, prej të paktën tre vitesh Shqipëria po humbet garën rajonale për rritjen e pagave, duke mbetur ndjeshëm pas vendeve të tjera të Ballkanit. Ai thekson se edhe gjatë vitit 2025, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri ka qenë rreth 860 euro, shumë më e ulët krahasuar me vendet e rajonit.
“Punonjësit në Serbi paguhen mesatarisht 1290 euro, në Bosnjë-Hercegovinë 1245 euro, në Mal të Zi 1206 euro dhe në Maqedoninë e Veriut rreth 1100 euro, pra 30-50% më shumë se në Shqipëri”, shprehet Bardhi.
Ai nënvizon gjithashtu se qytetarët shqiptarë përballen me çmime ndër më të lartat në rajon, veçanërisht për ushqimet dhe produktet bazë, ndërkohë që të ardhurat mbeten ndër më të ulëtat. Sipas tij, kjo situatë ka nxitur një fenomen në rritje, ku shumë shqiptarë udhëtojnë drejt vendeve fqinje për të bërë blerje më të lira, përfshirë karburantin dhe produktet ushqimore.
Në reagimin e tij, Bardhi e cilëson ekonominë si “kryearsye” pse qytetarët duhet të kërkojnë ndryshim politik, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe mungesë përgjegjshmërie.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Prej të paktën tre vitesh, Shqipëria po e humb me sukses garën rajonale për rritjen e pagave.
Edhe në 2025-n, paga mesatare mujore bruto, që marrin punonjësit në Serbi (1290 euro), Bosnjë-Hercegovinë (1245 euro), Mal të Zi (1206 euro), Maqedoninë e Veriut (1100 euro), e ishte 30-50% më e lartë sesa në Shqipëri (860 euro).
Qytetarët përballen me ushqimet më të shtrenjta në rajon, ndërsa vijojnë të kenë ndër të ardhurat më të ulëta. Kjo po nxit jo pak shqiptarë të bëjnë turizëm rajonal për blerje, si për naftën, ashtu dhe për ushqime e produkte të tjera jetike.
Ekonomia është kryearsyeja pse shqiptarët duhet të kërkojnë largimin e kësaj qeverie të korruptuar.
Në 8 Maj, të gjithë bashkë, në protestë kombëtare, për një qeverisje të përgjegjshme në shërbim të qytetarëve dhe të pa korruptuar, që garanton më shumë mirëqenie, një ekonomi më të mirë, paga më të larta dhe çmime më të ulta.
