Krahasimet mes së shkuarës dhe së tashmes brenda së majtës shqiptare janë të pashmangshme, sidomos kur flitet për mënyrën se si funksionon pushteti dhe raporti me debatin e brendshëm.
Enver Hoxha ndërtoi një regjim që mbijetoi për dekada mbi kontrollin absolut, disiplinën e hekurt dhe eliminimin e çdo zëri kundër. Ishte një sistem i izoluar, ku uniteti nuk ishte zgjedhje, por detyrim, dhe ku kundërshtimi kishte pasoja të rënda. Pas viteve ’90, Partia Socialiste ka qenë shpesh arenë përplasjesh të forta të brendshme. Figura si Fatos Nano u përballën me kundërshti të hapura, madje edhe kur ai ishte në burg, pati lëvizje për ta zëvendësuar apo dobësuar. Pas rikthimit të tij dhe marrjes së drejtimit të qeverisë, debatet nuk u shuan. Përkundrazi, ato vijuan me figura si Pandeli Majko, Ilir Meta dhe të tjerë, duke çuar në ndryshime të shpeshta dhe tensione të vazhdueshme brenda partisë. Në një realitet krejt tjetër historik dhe politik, Edi Rama ka arritur të ndërtojë një model të ndryshëm në formë, por me një efekt të ngjashëm në përmbajtje. Partia e drejtuar prej tij është një parti, ku debati është zbehur ndjeshëm dhe ku heshtja shpesh dominon mbi fjalën.
Ardhja e Ramës në krye të PS nuk u perceptua fillimisht si një pikë kthese e tillë. Por me kalimin e kohës, ai arriti të shuajë zërat kritikë dhe të vendosë një kontroll më të fortë mbi strukturat dhe individët. Sot, debati nuk zhvillohet më hapur; ai është zhvendosur në tavolina të vogla, në biseda private, në korridore dhe mesazhe të nënkuptuara. Deputetë dhe zyrtarë flasin mes tyre, por rrallëherë publikisht. Shikojnë njëritjetrin me kujdes, matin fjalët, shmangin qëndrimet e drejtpërdrejta.
Frika nuk është më ajo e ndëshkimit fizik apo politik të stilit të vjetër, por një përzierje e pasigurisë, interesave dhe mungesës së alternativës. Ka nga ata që kanë interesa ekonomike, të tjerë nuk shohin një figurë tjetër që mund të marrë drejtimin dhe të ruajë status-quo-në. Kjo krijon një klimë ku pakënaqësia ekziston, por nuk artikulohet.
Edhe kur shpërthejnë çështje të mëdha, si akuzat për korrupsion apo tensione rreth figurave të rëndësishme si Belinda Balluku, reagimi mbetet i kufizuar. Diskutimet janë të forta në prapaskenë, por në publik mbizotëron një qetësi e kontrolluar. Ata që dikur do të dilnin hapur kundër, sot zgjedhin të heshtin ose të flasin vetëm në rrethe të ngushta. Megjithatë, ndryshe nga e shkuara, sot kufijtë janë të hapur, komunikimi është i lirë dhe askush nuk pengohet të flasë jashtë vendit. Por kjo liri është më shumë formale sesa reale për ata që janë ende pjesë e sistemit. Të flasësh jashtë është e mundur; të mos kesh pasoja brenda, jo gjithmonë.
Kush zgjedh të artikulojë kritika publike nga jashtë, shpesh përballet me një lloj ndëshkimi të tërthortë në raport me strukturat e brendshme: humbje ndikimi, izolim politik, mbyllje dyersh për të ardhmen.
Një element që e forcon edhe më shumë këtë panoramë është fakti se ata që janë përballur me drejtësinë, nëse do të kishin diçka reale kundër kryetarit, do kishin folur. Raste si Ilir Beqaj, Alqi Bllako apo Erion Veliaj tregojnë se secili ka mbajtur barrën e vet. Deri më sot, askush nuk ka dalë të implikojë kryetarin drejtpërdrejt, duke forcuar perceptimin se ai ka ditur të mbajë distancë dhe të mos lërë gjurmë.
Nga ana tjetër, ka edhe zëra që flasin pasi largohen. Rasti i Arben Ahmetajt është ilustrues. Dikur pranë, sot kritik nga jashtë. Por fjala që vjen nga distanca, shpesh perceptohet si e vonuar dhe e dobët. Në mentalitetin publik, pesha e vërtetë është kur flet brenda sistemit, kur ke përgjegjësi dhe rrezik personal, jo kur largohesh dhe flet nga pozicione të sigurta.
Një tjetër detaj që bie në sy është raporti mes guximit dhe servilizmit. Ka gra në këtë parti që kanë treguar më shumë kurajë për të artikuluar qëndrime, ndërsa një pjesë e burrave kanë zgjedhur të heshtin, duke u fshehur pas kalkulimeve apo frikës. Edi Rama e ka kuptuar mirë këtë dallim. Ndoshta edhe për këtë arsye, shpesh u jep më shumë hapësirë dhe vëmendje atyre grave që guxojnë të flasin, sesa atyre burrave që në vend të qëndrimit, zgjedhin servilizmin. Sepse në fund, servili është më pak i besueshëm se ai që të del përballë. Dhe paradoksi është se, në një ambient ku shumë burra “bëhen të butë” për të mbijetuar politikisht, janë pikërisht disa gra ato që mbajnë peshën e fjalës publike.
Forca e Ramës qëndron pikërisht në aftësinë për të kuptuar njerëzit, për të lexuar jo vetëm fjalët, por edhe gjuhën e trupit, për t’i mbajtur pranë edhe kur nuk u beson plotësisht dhe për t’i zëvendësuar në momentin e duhur. Ai i përdor, i afron, i largon dhe i rikthen sipas nevojës, duke ruajtur kontrollin mbi balancat e brendshme. Në këtë kuptim, autoriteti i tij brenda partisë është i padiskutueshëm dhe në një farë mënyre, i krahasueshëm në efekt me atë të periudhave të tjera historike, edhe pse në rrethana krejt të ndryshme. Nëse dikur fjala ishte “kapitali” kryesor politik, sot është pushteti dhe interesi, ai që e mban strukturën të bashkuar dhe të heshtur.
Megjithatë, kjo qetësi nuk është domosdoshmërish stabilitet. Është më shumë një tension i mbajtur nën kontroll, një zhurmë që nuk dëgjohet, por që ekziston. Dhe si çdo proces i tillë, mbetet për t’u parë nëse dhe kur do të gjejë një çarje për të dalë në sipërfaqe, veçanërisht në një sistem ku e ardhmja duket e lidhur ngushtë me vullnetin e një individi dhe me momentin kur ai vendos të caktojë pasardhësin e tij. Në fund, është koha ajo që flet më qartë për gjithçka.
