Kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi, përfaqësues i Partisë Socialiste, ka mbetur sot i plagosur me thikë pas një sherri për motive të dobëta.

I plagosur mbeti dhe shoferi i tij, Gazment Bullari, i cili ndërhyri për të neutralizuar autorin, Ergest Xhelili, ish-punonjës i këtij institucioni (ish-punonjës IT-je). Por kjo nuk është hera e parë që Kokoneshi është përfshirë në një konflikt, pasi në muajin korrik ai denoncoi se ishte dhunuar nga nipi i deputetit socialist Paulin Stërkaj. BalkanWeb asokohe raportoi ngjarjen.

Ishte 14 korrik i këtij viti kur zyrtari denoncoi në komisariatin e Divjakës se u ofendua dhe u godit me grushte nga 32-vjeçari Dritan Stërkaj, administrator i një resorti në Divjakë. Ai tha në polici se ishte goditur për shkak të detyrës, ndërsa nuk dha detaje për ngjarjen.

Duke u rikthyer te ngjarja e sotme, gjithçka nisi pas debatit mes Xhelilit dhe Kokoneshit, ku pretendohet se kryebashkiaku e kishte lëvizur nga pozicioni i punës si infermiere bashkëshorten e autorit, në një vend tjetër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb