Nën titullin “Skena dhe prapaskena”, profesor Lufter Xhuveli ka promovuar librin e tij me kujtime, ku rrëfen ngjarje në të cilat ka qenë i pranishëm dhe njohjen e takimet e tij me drejtues politikë komunistë e të periudhës postkomuniste. Së pari, fjala ju shkoi miqve që vlerësuan Xhuvelin.

“Ky libër është më shumë se një rrëifm kujtimesh personale, është dëshmi e gjallë e historisë sonë e shkruar nga një njeri që ska qenë vetëm dëshmitar, por edhe protagonist. Na jep tabllo të 7 dekadave të Shqipërisë nga diktatura në ndërrimin e mijëvjeçarit. Ai nuk paraqitet si analist me qëllim politik, apo si polemist, por si atdhetar që paraqet të vërtetat e veta të jetuara”, tha Bujar Leskaj.

Agronom, pedagog e rektor, Xhuveli, në libër rrëfen kohë e episode të ndryshme. Për kohën e universitetit, foli një ish student.
“Në auditor zëri i profesorit kishte një butësi që sfidonte rregullat e heshtjen e botës jashtë. Ishte ai që na mësoi nuk është vetëm ushtrim i mendjes por edhe një mënyrë për të mbijetuar shpirtërisht”, tha Marash Mirashi, gazetar.

Vetë profesor Xhuveli, duket se ndjen paqe me përvojat e tij jetësore.

“Ju e keni parasysh se jeta në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë jeta politike dhe ajo sociale janë si një teatër, që kanë skenë e prapaskenë, kështu është edhe jeta politike. Kam pasur mundësi të bëj karrierë në të dyja epokat e sistemet, veçse të merremi vesh, në saj të punës”, tha Xhuveli.

Para një auditori që përfshinte miq e të njohur, akademikë, personazhe të medias, politikës e sipërmarrës, Xhuveli rrëfeu njohjet me figurat politike dhe zhgënjimin prej tyre, duke u ndalur te diktatori Enver Hoxha diku në Berat.

“Foli sa foli dhe filloi tu thoshte mjelseve te kooperativës, se si duhen mjelë lopët. Mirëpo atje kishte mjelëse që i kishin duart me kallo, që zgjoheshin ne 4 të mëngjesit, dhe ai i mësonte se si duheshin të mileshin lopët. Absurditet! Pastaj u kthye na unë dhe më shikonte në dritë të syrit dhe më fliste për majdanozin, fliste për vlerat e tij. Tani, o Perëndi e madhe, unë kam dhënë provim për bimët, unë jam duke i kultivuar ky më tregon mua për majdanozin, hajde baba të të tregoj arat, por kjo ka qenë jeta, kështu ka qenë”.

Në librin me kujtime, Xhuveli që ka shërbyer për një kohë të gjatë si Ministër i Bujqësisë, rrëfen kujtimet e tij me disa qeveri dhe marrëdhëniet e takimet me Mehmet Shehun, Nexhmije Hoxhën, Ramiz Alinë, Fatos Nanon e Sali Berishën. Në promovim ai tha se tregon vetëm historitë e ngjarjet ku ka qenë i pranishëm dhe se nuk pretendon të tregojë historinë e vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb