Rënia e Oskar Piastrit vazhdon të jetë një prej çështjeve më të diskutuar për tifozët si dhe për specialistët e Formulës 1. Nga dalja pas Çmimit të Madh të Holandës me 34 pikë avantazh, ai përfundoi duke humbur titullin botëror me 13 pikë diferencë ndaj Lando Norrisit, pavarësisht reagimit të tij në Katar dhe Abu Dabi. Por atëherë ishte shumë vonë për pilotin e MekLarenit.
Një çështje që madje ka mbërritur deri në parlamentin australian, por sipas MekLarenit, vetëm një shpjegim teknik, pasi skuadra u ka ofruar të dy pilotëve të njëjtat burime dhe të njëjtat rregullime gjatë gjithë sezonit. Kur Red Bulli reagoi në Monza me një dysheme të re dhe Maks Vershtapeni nisi rikthimin e tij, Piastri madje ishte përpara Norrisit, megjithëse iu kërkua t’ia kthente vendin e dytë shokut të skuadrës, duke u mbështetur në “drejtësinë” e rregullave të brendshme “papaya”.
Por nga Baku nisi katastrofa: një zero e dyfishtë, si në Sprint ashtu edhe në garë (dy aksidente në mur), ku u pa qartë se ai nuk ishte në gjendje të përballonte një hapësirë funksionimi shumë më të ngushtë të makinës “MCL39”, të cilën vetëm Norris arrinte ta shfrytëzonte maksimalisht për ta mbajtur njëvendëshen konkurruese edhe pse pa fitore. MekLareni nuk kishte më avantazhin e qartë dhe Oskari nisi të fundosej, sidomos në sesionet kualifikuese. Ka pilotë, si Romë Groszho, që ende nuk e kuptojnë çfarë i ndodhi.
“Oskar Piastri është ai që nuk e kuptoj këtë vit. Ishte jashtëzakonisht i fortë para pushimeve verore dhe më pas, pas Monzës, për katër ose pesë gara, dukej sikur në timon ishte kushëriri i tij”, ka deklaruar për “Bein Sports” ish-piloti i Haas dhe Renault. “Në Katar pamë sërish Piastrin e vërtetë: njeriun më të shpejtë në pistë dhe në ‘pole position’.
Nuk e fitoi garën (për shkak të një gabimi strategjik të MekLarenit me të dy pilotët), por kjo nuk kishte rëndësi atë fundjavë. Oskari ishte rikthyer. Në Abu Dabi më dukej solid, por deri atëherë kishte humbur shumë terren”, komenton piloti francez. “Kur ke 34 pikë avantazh dhe përfundon me 13 pikë disavantazh, nuk është ajo që pret. Por ai do të mësojë nga kjo. Është ende shumë i ri dhe ka vetëm pak vite në Formula 1.
Ka treguar shumë gjëra pozitive dhe ende ka shumë për të dhënë”, shton Groszho, i cili pesë vite më parë i mbijetori një prej aksidenteve më të frikshme të shënuara në Formula 1, me makinën e tij Haas që shpërtheu në flakë gjatë garë në Bahrejn “Piastri ka treguar se në disa momente, për katër ose pesë gara, nuk ishte në nivelin që dëshironte. Por nëse përsërit atë që di të bëjë mirë dhe zgjidh problemet, do të jetë kampion bote”, përfundon Groszho, një duke mos i dhënë asnjë peshë teorive të komplotit që janë përhapur në “paddock”.
