Barcelona mund të marrë pak frymë, të paktën në Champions League. Katalanasit mposhtën për të dytën herë Dinamon e Kievit dhe sërish me një gol, duke u ngjitur në kuotën e gjashtë pikëve dhe marrë kështu vendin e dytë në grup.

Nëse në sfidën në Camp Nou ndeshjen e zgjidhi Pique, në Kiev vendimtar ishte Ansu Fati në minutën e 70-të, i cili pas golit festoi si Aguero, për t’i treguar mbështetjen e tij në këtë moment të vështirë që po kalon argjentinasi pas problemeve shëndetësore.

Një sukses me vuajtje për Barcelonën, por që tashmë ka në dorën e vet totalisht kalimin e grupit. Mjafton të fitojë në Camp Nou ndaj Benficas dhe kualifikohet për në fazën tjetër si vend i dytë në grup, për të shkuar e qetë në ndeshjen e fundit në Mynih ndaj Bayernit.

Në Kiev ishte edhe suksesi i parë për trajnerin provizor Sergi Barjuan, i cili do ta drejtojë ekipin edhe në fundjavë në kampionat në transfertë ndaj Celta Vigos. Në Barcelonë tani të gjithë po presin ardhjen e Xavi Hernandez.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb