Tre persona kanë rënë në prangat e Policisë në Fier, pasi dyshohen si autorë të disa vjedhjeve të banesave në Patos. Operacioni policor i koduar “Shëtitësit” u finalizua pas një hetimi të zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.

Në pranga janë vënë F. Gj., 43 vjeç, D. A., 31 vjeç, të dy banues në Gjirokastër, si dhe I. I., 41 vjeç, banues në Tepelenë.

Tre të dyshuarit u kapën në flagrancë në qendër të Patosit, teksa lëviznin me një automjet. Gjatë kontrollit fizik, njërit prej tyre, F. Gj., iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës së D. A., policia gjeti dhe sekuestroi një tjetër sasi cannabis sativa.

Nga hetimet ka rezultuar se më 5 dhe 6 gusht, në lagjen “1 Maji” dhe në fshatin Dukas të Patosit, tre personat dyshohet se kanë vjedhur dy banesa. Prej tyre kanë marrë bizhuteri floriri, 3500 euro dhe dy telefona celularë.

Gjithashtu, më 9 shtator, ata dyshohet se kanë tentuar të vjedhin dy banesa në fshatin Zharrëz të Patosit.

Policia vijon hetimet në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe nën drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tyre të dyshuar kriminale.

Gjithashtu, po punohet për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve në qarqet Fier dhe Gjirokastër, ku tre të arrestuarit mund të jenë të përfshirë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb