Rastet e gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale dhe media janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit. Në këtë mënyrë në javën kundër diskriminimit, Komisioneri për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit, Robert Gajda zhvilloi një takim sensibilizues në shkollën e mesme “Oso Kuka” në Shkodër. Gajda tha se më të diskriminuarit mbeten personat me aftësi të kufizuar, romët dhe egjiptianët dhe të varfrit ndërsa gjatë vitit 2023 është rritur numri i denoncimeve.

Një shqetësim mbetet edhe gjuha denigruese që përdoret nga politika në Parlament apo edhe jashtë dyerve të Kuvendit, shprehet Gajda të cilët nuk janë aspak një shembull i mirë për të rinjtë. Përfaqësuesja e Këshillit të Europës Iva Çoku, tha se të gjithë duhet të denoncojnë çdo rast të gjuhës së urrejtjes në mënyrë që këto fenomene më pas të jenë më të pakta.

Drejtorja e Zyrës Vendore të Arsimit në Shkodër Brisela Kadia thotë se është me rëndësi që të rinjtë në këtë trend rritës të gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale të dinë se cili është mekanizmi i denoncimit të këtyre rasteve. Këto takime të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi do të vijojnë edhe në shkolla dhe qytete të tjera gjatë javës kundër diskriminimit për të ndërgjegjësuar kryesisht të rinjtë duke qenë se gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale apo media sa vjen e shtohet.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb