Drejtuesi politik, njëkohësisht deputeti i PD-së Eno Bozdo ka reaguar pas takimit të Edi Ramës me fermerët në Berat. Sipas tij, Rama ka gënjyer dhe ka mashtruar fermerët e Beratit dhe duke u folur për ‘shoqëritë e bashkuara bujqësore’ nuk janë gjë tjetër veç se kthimi i kooperativave.

Reagimi i Eno Bozdos:

Edi Rama takon fermerët e Beratit, por nuk ka ç’tu thotë veçse gënjeshtra dhe fjali pa kuptim.
Sot Edi Rama u kujtua të lajë gojën me përfaqësues të fermerëve, në një takim ku foli thuajse vetën ai, dhe ku pjesëmmarësit e shkretë ishin aty nga halli e aspak nga malli.
Deklaratat e Edi Rama për ‘shoqëritë e bashkuara bujqësore’ nuk janë asgjë tjetër veçse një përpjekje për të rikthyer një model të dështuar që shqiptarët e kanë provuar, kooperativat. Pas më shumë se një dekade në pushtet, kryeministri nuk ofron mbështetje, por vendos kushte ose bashkohuni siç them unë, ose nuk përfitoni asgjë.
Fermerët e Beratit, sidomos kultivuesit e ullirit, që nga viti 2013 e deri më sotë nuk kanë marrë asnjë mbështetje direkte. Zero lekë. Ndërkohë, janë pikërisht ata që mbajnë në këmbë tregun e vajit të ullirit dhe arrijnë edhe të eksportojnë, pa asnjë ndihmë nga shteti.
Dhe ndërkohë flitet për ‘investime’. Për cilat investime kryeministër?
Për rritjen e çmimit të naftës që po i falimenton fermerët?
Apo për tregje që kanë kushtuar rreth 253 mije euro për ‘Green Market’ dhe keto para kanë përfunduar në xhepat e bashkiakëve dhe klientelës së pushtetit?
Ndërkohë, propaganda vazhdon të ushqejë opinionin publik me pretendime për kthim emigrantësh në Berat.
Por faktet flasin ndryshe sipas INSTAT, ky qark ka pësuar një nga rëniet më të mëdha të popullsisë (-3.6%). Pra njerëzit nuk po kthehen po largohen çdo ditë edhe më shumë nga kjo qeveri.
Kjo qeveri nuk ka mbështetur fermerët dhe nuk ka ulur kostot aspak. Në vend të kësaj, u kërkon të dorëzojnë pavarësinë e tyre për të marrë atë që u takon.
Fermerët shqiptarë nuk kanë nevojë për imponime dhe projekte të dështuara. Ata kanë nevojë për mbështetje reale. Dhe kjo qeveri ka treguar qartë se nuk është në anën e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb