Prindërit tanë tregonin se të siguroje veshje apo këpucë në rininë e tyre ishte një sfidë më vete. Për të zgjatur jetën e rrobave apo këpucëve kur ato dëmtoheshin, nuk ishte e lehte dhe mundur te blije menjëherë një tjetër. Asokohe kishte këpucarë, rrobaqepës që i riparonin edhe për një vit tjetër.

Ndërsa sot kur na prishen këpucët apo pantallonat nuk mendojmë t’i riparojmë sepse blejmë te tjera.

Po kur na prishet një orë, apo kur na duhet një tavë prej balte ose një orendi  me gurë alabastre e punuar me mjaft mjeshtëri nga një artizan? Dikur, këto profesione gëlonin, ndërsa sot, janë drejt zhdukjes. Sefer Fusha 83 vjeç është ndër këpucarët e pakët në kryeqytet.

Ai e ka ushtruar këtë profesion me dekada,  mjetet i ka të trashëguara nga i ati, edhe ai këpucar në kohën që italianët ishin pushtues në Shqipëri.

E gjetëm  si çdo ditë në punishten e vogël, ku nuk e nis punën pa pirë një cigare. Seferi, edhe pse në një moshë të thyer thotë se nuk do të heqë dorë nga ky profesion, por do ta  vijojë ta ushtrojë pasi edhe pse me pak, ende i siguron të ardhura

Seferi tregon se kohe me pare i kishte ardhur një djalë ne punishte për te mësuar zanatin, por pas një kohe të shkurtër djaloshi vendosi që ta ndërpresë këtë rrugë në mes. Me sa duket do vije koha qe njerëzit te mos riparojnë me këpucë.

Zhvendosemi në Kavajë.  Mustafa Kola është ndër të vetmit orëndreqës në qytet. Thotë se këtë profesion e ka pasur pasion shumë të madh dhe ka mbi 40 vite që e ushtron. Mustafai rrëfen se puna i jep kënaqësi  dhe e bën me përkushtim të madh.

Mustafai pohon se zanat i orëndreqësit thuajse është zhdukur dhe ata që e aplikojnë janë shumë të pakët.

Në Kavajë,  Shpëtim Allushi është i vetmi në qytet që bën punime prej guri alabastre. Dikur, ajo preferohej nga shumë turistë të huaj, ndërsa sot, kërkesat kanë rënë.

Shpëtimi thotë se jetesa  vetëm duke punuar gurin e alabastrës u bë sfiduese dhe u detyrua qe të mbijetuar, t’i rikthehej  pasioni të vjetër, pikturës.

Shumë pranë Tiranës, në Farkë, të kthehet ndjesia e dikurshme. Fshati dikur ishte qendër e punimeve prej balte një tradite e trashëguar brez pas brezi. Ka ende nga ata që e ushtrojnë  dhe mënyrën e të punuarit e kanë po si të parët, me mjete rrethanore e pa energji elektrike. Ndër ta është Agron Fusha. Ai thotë se zanatin e ka trashëguar nga i ati dhe ka si qëllim që shpejt ta ktheje punishten në një qendër, ku të mirëpresë edhe turistë.

Agroni, ka pasion edhe koleksionimin e ornamenteve të vjetra, që i ka grumbulluar prej vitesh. Dëshira e tij është qe të hapë një muze të vogël në punishte

Agroni ia ka trashëguar këtë zanat djalit të tij të dytë, Marios, ndërsa i treti, Fadili qe mban emrin e gjyshit, ka shumë dëshirë të mësojë e hapat e parë i ka nisur që tani

Të gjithë mjeshtrat u bënë bashkë në një pikë, kur thane se zanatet e tyre priten të shuhen pasi rinia nuk preferon t’i mësojë.

Ata shprehen se nuk do të jetë e largët dita që shqiptaret do te jene  pa orëndreqës, këpucar, apo mjeshtër të punimeve prej balte e guri alabastre.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: