Presidenti amerikan Donald Trump mbajti një konferencë për shtyp pas përfundimit të samitit të NATO-s në Hagë, ku trajtoi një sërë çështjesh kyçe që prekin politikën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet me aleatët.

I shoqëruar nga figura të larta të administratës së tij, Trump foli për tensionet me Iranin, luftën në Ukrainë dhe çështjen e financimit të NATO-s. Ai dha mesazhe të forta dhe deklarata që pritet të shkaktojnë diskutime të mëtejshme në arenën ndërkombëtare.

Konferenca për shtyp e Trump-it pas samitit të NATO-s – përmbledhje

Për Iranin:

I shoqëruar nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, Trump përsëriti se sulmi i SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit ka qenë shumë i suksesshëm.

Për të përforcuar deklaratën e tij, presidenti amerikan lexoi një letër nga autoriteti rregullator bërthamor i Izraelit, ku thuhej se objekti bërthamor i Iranit në Fordo ishte bërë plotësisht jofunksional. Trump dhe Hegseth kritikuan mediat për raportimin e një dokumenti të rrjedhur nga Pentagoni, që sugjeronte se dëmi kishte qenë më i kufizuar. Hegseth tha se provat për ndikimin e sulmit janë “të varrosura nën një mal”.

Për Ukrainën:

Trump tha se shpreson të zgjidhë konfliktin dhe theksoi se është thelbësore që fondet e NATO-s të përdoren për pajisje ushtarake dhe jo për burokraci. Pas një takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky para konferencës për shtyp, Trump tha se Zelensky “nuk mund të kishte qenë më i sjellshëm”.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin gjithashtu “dëshiron vërtet ta përfundojë luftën”, deklaroi Trump.

Për shpenzimet e mbrojtjes në NATO:

Presidenti amerikan kritikoi ashpër Spanjën, e cila ka thënë se nuk do ta arrijë pragun e shpenzimeve për mbrojtje prej 5% deri në vitin 2035, duke thënë se ata “duan të përfitojnë pa paguar”.

Ai shtoi gjithashtu se qëndrimi i tij për NATO-n ka ndryshuar pasi pa sa shumë e duan vendet anëtare vendin e tyre, dhe tha se nuk e konsideron më organizatën si një “mashtrim”.

(d.xh-Balkanweb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb