Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një intervistë për emisionin “Kjo Javë”, ndau sfidat kryesore të procesit zgjedhor dhe bëri thirrje për një reformim të thellë të mënyrës së organizimit të zgjedhjeve në Shqipëri.

Celibashi theksoi se, ndonëse shumë aspekte të administrimit zgjedhor kanë përparuar ndjeshëm në raport me të kaluarën, nevojat logjistike dhe financiare të KQZ mbeten një problem serioz. “Fondet buxhetore duhet të bëhen të disponueshme të paktën një vit para zgjedhjeve,” tha ai, duke shtuar se edhe përzgjedhja dhe angazhimi i personelit zgjedhor duhet të fillojë të paktën 8-9 muaj më herët për të garantuar një proces cilësor.

“Komisionerët e niveleve të para dhe të dyta nuk mund të aktivizohen vetëm 10 apo 20 ditë para zgjedhjeve. Duhet të jenë në dispozicion të paktën dy muaj para,” nënvizoi Celibashi, duke bërë thirrje për një ndryshim rrënjësor në mënyrën si administrohen burimet njerëzore dhe infrastruktura zgjedhore.

Celibashi: Fokusi është tek ajo që do ndodhë nesër e në vijim. Ne kemi mbajtur shënime për ato që nuk kanë shkuar mirë, si gjëra organizative, logjistike, financim, etj. Ne kemi nevojë për më shumë kohë më së paku.

Dua të them se fondet buxhetore të KQZ, kemi nevojë që një pjesë e buxhetit KQZ-së t’i bëhet efektiv minimalisht një vit para zgjedhjeve. Kemi nevojë që njerëz që angazhohen me këtë të rekrutohen minimalisht 9 muaj para zgjedhjeve, një pjesë e infrastrukturës zgjedhore të jetë e disponueshme 8-9 muaj para zgjedhjeve.

Njerëzit që në terren, komisonerë të nivelit të dytë apo të parë të jenë në dispozicion të KQZ jo 10 apo 20 ditë para ditës së zgjedhjeve, por minimalisht 2 muaj para autoritetit të KQZ, për të mos thënë që mënyra e organizimit të këtyre të ndryshojë në mënyrë radikale.

Duke reflektuar mbi zhvillimet ndër vite, Celibashi tha se pavarësisht tensioneve politike, situata ka ndryshuar ndjeshëm në raport me dy dekadat e mëparshme. “Retorika politike ka qenë më e ashpër në të kaluarën. Sot, partitë politike kanë më shumë ndërgjegjësim se zgjedhjet nuk janë betejë primitive politike,” deklaroi ai.

Kreu i KQZ vlerësoi gjithashtu rritjen e transparencës, profesionalizmit të mediave dhe ndërgjegjësimin qytetar në lidhje me procesin zgjedhor, duke theksuar se edhe pse ekziston më shumë informacion dhe ndonjëherë spekulim, kjo është pjesë e zhvillimit të shoqërisë moderne dhe digjitale.

Celibashi: Do të doja të thoja që retorika politike nuk ka ndryshuar, por ka ndryshuar. Edhe pse ka akoma goxha agresivitet dhe duket sikur ka konflikt të thellë politik është ndryshe krahasuar me dy dekada më parë.

Është e qartë që partitë politike kanë kuptuar se gjërat duhet të jenë ndryshe dhe të mos bëhet politikë si para 20 viteve. Zgjedhjet administrohen më mirë, goxha më mirë se 20 vitet e shkuara.

Qytetarët janë më të informuar, ka më shumë transparencë dhe mundësi për akses. Media është më prezentë dhe profesionale. Informacioni përcillet më shpejt. Ndoshta ka dhe më shumë spekulim, por është pjesa e zhvillimit të shoqërisë globalisht.

Më duket se është e vështirë për humbësin e zgjedhjeve të pranojë humbjen. A lidhet me natyrën tonë, është çështje e pjekurisë politike apo që merret me vitet nuk di ta them, por e kemi këtë vështirësi.

Dikush thotë që kontestohen sepse zgjedhjet vidhen, unë nuk e besoj këtë. Ai që ka qeverisur, veçanërisht në dy dekadat e fundit, ka patur legjitimitet të plotë në kuptim që ka qenë në qeveri sepse e kanë votuar shumica e shqiptarëve, tej problematikave të caktuara në zgjedhjeve, në finale ka pasur një rezultat që ka reflektuar vullnetin e shumicës. Ne kemi probleme dhe për shkak të tyre kemi kontestime.

Besoj se palët janë ndërgjegjësuar dhe  kanë kuptuar se kanë shumë përgjegjësi dhe nuk po e administrojnë atë në lidhje me administrimin e zgjedhjeve.

Të gjithë e pranojnë që administrimi i zgjedhjeve duhet të ndryshojë në mënyrë radikale, pra partitë të mos jenë aq prezentë, jo të shmangen totalisht, por të jenë të pranishme pa vënë në dyshim rezultatin e zgjedhjeve në fund.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb