Fuqia e Kimit qëndron te lehtësia me të cilën tregon se është në gjendje të menaxhojë presionin, pa u përfshirë dhe pa u mposhtur prej tij. Besoj se mosha e tij e re e ndihmon shumë në këtë drejtim”, kështu u shpreh Toto Volf të dielën në Monza pas suksesit të pilotit italian të Mercedesit, protagonist i një triumfi të jashtëzakonshëm në Monza, duke startuar nga pozicioni i 19-të.

Volf theksoi, deri në kufijtë e emocionit, një paradoks të rritjes së jashtëzakonshme të pilotit të tij. Ai ia atribuoi moshës së re të Kimit dhe, aq më tepër, freskisë së tij, aftësinë për të menaxhuar presionin pa e ndier peshën e tij dhe pa u prekur nga pasojat që ai mund të sjellë. Në kërkim të arsyeve pas suksesit të tanishëm të Kimi Antonelit, mund ta zgjerojmë analizën drejt një aspekti teknik, edhe më domethënës dhe mjaft të dukshëm, i cili gjen konfirmim edhe te pilotët e tjerë debutues apo te ata që kanë pak kohë në Botëror.

Mosha e re duket se përkthehet në një përshtatshmëri më të madhe të Antonelit, si edhe të bashkëmoshatarëve të tij apo pilotëve me relativisht pak përvojë, ndaj Formulës 1 moderne, asaj të epokës së rikuperimit të energjisë. Një F1 që kolegët e tij më të vjetër në skenë duket se mezi e tolerojnë, sidomos kur e krahasojnë me rregulloren teknike paraardhëse dhe, në disa raste, veçanërisht Hamilton dhe Alonso, edhe me ato të së kaluarës, 10 apo 15 vite më parë. Nuk bëhet fjalë për keqardhje, nostalgji apo ankesa që nuk sjellin asgjë kur ndizet kronometri.

Fakti është se Kimi duket sikur është krijuar enkas për këtë Formula 1: i formësuar prej saj dhe për të. Dhe, si i tillë, duke pasur mbi vete talentin e jashtëzakonshëm dhe një njëvendëshe të nivelit të lartë, ai është piloti perfekt për t’i shfrytëzuar makinat e sotme deri te kuajt e fundit… ose, më saktë, te kilovatët e fundit. Ajo që për Kimin vjen natyrshëm, për pilotë me një palmares shumë më të pasur se i tij kërkon një përpjekje, qoftë edhe vetëm pak më të madhe. Por në Formula 1, siç dihet, fraksionet e sekondës, madje edhe të mijtat, bëjnë të gjithë diferencën.

Është pak a shumë si rasti kur një adoleshent i lindur në epokën digjitale “tallet” me vëllain e madh të formuar në epokën analoge. Teoria gjen mbështetje edhe te paraqitjet e kolegëve të Kimit. Në Monza, Arvid Lindblad konfirmoi ngjitjen e vazhdueshme që e ka bërë një frekuentues të rregullt të zonës së pikëve, edhe falë disa paraqitjeve mbresëlënëse në kualifikuese.

E njëjta gjë vlen edhe për shokun e tij të skuadrës, aktualisht zëvendësues i Hadxharit në “anijen mëmë” Red Bull, Liam Louson. Pa harruar “thumbimet” gjithnjë e më të shpeshta të Franko Kolapintos ndaj shokut të tij shumë më me përvojë te Alpine, Pierr Gasli, epërsinë e konfirmuar të Oliver Bearman me Haas-Ferrarin ndaj Esteban Okonit, i cili ndërkohë duket gjithnjë e më i distancuar brenda skuadrës, si dhe vështirësitë që Gabriel Bortoleto po i shkakton pilotit të konsoliduar Nico Hulkenberg në garazhin e Audit. Aktualisht, ata kanë përkatësisht dhjetë dhe gjashtë pikë në klasifikimin e përgjithshëm.

Një përjashtim i pjesshëm është Isak Hadxhar. Por edhe në rastin e tij duhet pasur parasysh se ai është gjithsesi i teti në Botëror, pavarësisht se ka zhvilluar dy gara më pak, gati tri. Dhe në anën tjetër të ekuacionit qëndron gjithmonë një emër i tillë si Maks Vershtapen. Kimi Antoneli duket, pra, si maja e diamantit e një brezi që po rritet jashtëzakonisht shpejt dhe që të jep përshtypjen se është bërë njësh me njëvendëshen e tij, më shumë sesa brezi që e ka paraprirë. Tashmë F1 është “Kimi dhe të tjerët”, ndërsa të gjithë provojnë që ta kapin…

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb