Fenomeni i “inxhinierisë sociale” qëndron prapa suksesit të madh që kanë hacker-at. Gjithçka varet nga një seri tiparesh njerëzorë, që mund t’i përshkruajmë si “shtatë mëkatet vdekjeprurës” të inxhinierisë sociale. Nga apatia, deri tek kurioziteti dhe lakmia…

Apatia
Eshtë hileja e besimit të tepruar. Ne supozojmë gjithmonë që të tjerët “duhet” të kenë marrë masat e nevojshme, për të na mbajtur ne të sigurt. Fatkeqësisht, kjo sjell një mungesë ndërgjegjësimi dhe në botën e hacker-ave, kjo gjë është fatale. Kur qëndrojmë në një hotel për shembull dhe programojmë numrin tonë rastësor për të lënë gjërat personale në kasafortë, sa prej nesh kontrollojnë nëse kodi i prodhuesve është lënë brenda në kasafortë? Eshtë pothuajse gjithmonë 000 ose 1234, kështu që, përpiquni herën tjetër.

Kurioziteti
Qeniet njerëzore janë kurioze nga natyra. Megjithatë, kurioziteti naiv dhe i painformuar ka shkaktuar shumë viktima. Kriminelët e dinë që ne jemi kuriozë dhe ata do të përpiqen të na joshin. Nëse shohim një derë jo të njohur që shfaqet në një ndërtesë ku shkojmë jo rrallë, ne të gjithë vrasim mendjen se ku të çon ajo derë. Mund të tundohemi që ta hapim dhe ta gjejmë se ku të çon, por në botën e internetit ky mund të jetë një kurth, në pritje të një të pafajshmi që të bjerë brenda. Dikush ndërtoi një faqe interneti dhe vendosi një buton ku shkruhej “Mos e shtyp”. U befasua kur zbuloi se në fakt shumica e njerëzve e shtypën butonin. Duhet të jesh kurioz, por gjithnjë duhet të kesh një masë të shëndetshme dyshimi.

Mashtrueshmëria
Shpesh herë mendohet si një term poshtërues, por të gjithë vuajmë nga ky mëkat. Ne bëjmë supozime. I marrim të tjerët për të mirëqenë, sidomos jashtë fushës sonë të ekspertizës. Vendosini dikujt një uniformë, dhe të gjithë do të supozojmë pas kësaj, se ai ka autoritet. Jepini një emaili një pamje zyrtare duke përdorur logon e saktë dhe bëjeni të duket sikur vjen nga adresa e duhur, dhe të gjithë do të supozojmë që është real, sado marrëzi të tingëllojnë instruksionet që përmban. Gjithë kjo mund të organizohet lehtësisht në internet, kështu që mos bëni supozime.

Mirësjellja
Ne të gjithë i mësojmë fëmijët tanë që të jenë të sjellshëm. Megjithatë, mirësjellja nuk do të thotë që nuk duhet të diskriminosh. Nëse nuk e di diçka, apo nëse ndien që diçka nuk shkon mirë, pyet. Ky parim është më i vërtetë se kurrë në botën e internetit, ku na kërkohet të ndërveprojmë me njerëz dhe sisteme, në mënyra që janë pothuajse të panjohura për ne. Nëse dikush ju telefonon një ditë dhe ju thotë që ju marrin nga banka, a do i besoni? Jo, telefonojini mbrapsht. Dhe meqë ra fjala, përdorni celular, pasi linjat fikse mund të qëndrojnë të lidhura me personin që bëri telefonatën dhe kështu, ndërkohë që mund të mendoni se po i telefononi bankës, thjeshtë po flisni me personin që ju telefonoi.

Lakmia
Pavarësisht asaj që duam të mendojmë, ne jemi të gjithë pre e lakmisë, ndonëse nuk mund të ngjajë si e tillë. Që në krijimin e tij, vetë kultura e internetit ka qenë të ndajë gjëra falas. Në fillim ishin kërkime akademike, por teksa interneti u komercializua në mesin e viteve nëntëdhjetë, na u la përshtypja që mund të gjenim gjëra krejt falas. Në internet asgjë nuk është vërtetë falas. Duhet të mbani mend që nëse nuk jeni klienti që paguan, me shumë gjasa jeni produkti. Në rastin më të keq, mund të zbuloni se keni marrë diçka në kompjuterin tuaj, që është shumë larg asaj që keni kërkuar. Shumë viruse shkarkohen nga përdorues që nuk e kuptojnë që produkti “falas” përmban diçka të fshehur, edhe pse duket në pamje sikur është pikërisht ai çfarë keni kërkuar.

Modestia
Njerëzit hezitojnë të pyesin të huajt për identitetin, dhe në botën e internetit është më e rëndësishme se kurrë të dish kredencialet e atyre, të cilëve u beson informacionet e tu sensitivë. Mos lejo që rrethanat të të shtyjnë të bësh supozime për identitetin e dikujt. Për shembull, nëse dikush nga “suporti i IT” ju telefonon dhe ju kërkon fjalëkalimin, me qëllim që të ndreqin problemin që ju keni, ku e dini që ata nuk kanë marrë gjithkënd tjetër në ndërtesë fillimisht, deri sa kanë gjetur ty, që ke me të vërtetë një problem? Ky është një sulm i njohur. Nëse dikush ka një problem për të vërtetuar se kush është, duhet të bëhesh menjëherë dyshues.

Mendjelehtësia
Të mendosh para se të veprosh është ndoshta mjeti më efektiv i të mbrojturit në internet. Eshtë shumë e lehtë të klikosh atë link. Por, ndalu! Sa prej nesh kur lexojnë një link në dukje të vlefshem në një email, e marrin mundimin të kontrollojnë nëse link-u është vërtetë i vlefshëm, apo ai të çon në një faqe me viruse? Eshtë shumë e lehtë të bësh link-et të duken të vlefshëm, kështu që përpiquni të mbani mausin mbi një link për disa sekonda, përpara se ta shtypni, për të parë se çfarë është linku i vërtetë: i vërteti shfaqet nëse i jep pak kohë.

Mos supozo asgjë
Mos beso askënd
Kontrollo gjithçka

Duhet të keni shumë kujdes nga ata që do të përpiqen të shfrytëzojnë mëkatet e sipërpërmendur. Mos u jepni kriminelëve shansin që të shkatërrojnë sezonin tuaj të pushimeve, dhe mbani mend që pakëz paranojë nuk të bën keq kur flitet për internetin. / Wired – Bota.al/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: