Bota vijon të mbetet e tronditur nga një prej sulmeve më të përgjakshme terroriste të viteve të fundit në Australi. Sulmi ndodhi në plazhin Bondi, gjatë një feste hebraike të Hanukkah-ut, ku 50-vjeçari Shahid Akram dhe djali i tij 24-vjeçar, Navid Akram, hapën zjarr ndaj qytetarëve, duke shkaktuar një bilanc tragjik prej 15 viktimash, ose 16 të vdekur në total nëse përfshihet edhe autori 24-vjeçar.
Sipas mediave ndërkombëtare, babai dhe djali, me origjinë nga Lahore, Pakistan, kishin planifikuar sulmin për një kohë të gjatë. Ata kishin marrë me qira një apartament Airbnb, rreth 30 minuta larg plazhit Bondi, ku dyshohet se qëndruan për dy javë përpara sulmit, duke u përgatitur për aktin e tyre vdekjeprurës. Policia australiane ka kontrolluar tashmë apartamentin, ku raportohet se janë gjetur pajisje shpërthyese të improvizuara. Sipas një versioni paraprak të hetimeve, dy terroristët dyshohet se kishin lidhje me Shtetin Islamik (ISIS). Më herët, televizioni publik ABC i Australisë raportoi se flamuj të ISIS-it ishin gjetur në makinën e përdorur nga autorët gjatë sulmit të së dielës.
Raportime të tjera nga mediat ndërkombëtare tregojnë se 24-vjeçari Navid Akram kishte studiuar në Qendrën Islamike Al Murad. Në vitin 2022, ai ishte shfaqur në një fotografi ku vlerësohej për njohuritë e tij të shkëlqyera të rregullave të “taxhvidit”, recitimit të ligjeve të Kuranit. Sipas gazetës Telegraph Australia, hetimet kanë zbuluar gjithashtu se Shahid dhe Navid Akram kishin kaluar rreth një muaj në Filipine, një vend që konsiderohet nga shërbimet e sigurisë si një nga pikat problematike për aktivitet ekstremist. Për të mos ngjallur dyshime, ata u kishin thënë të afërmve se do të udhëtonin drejt jugut të vendit për të peshkuar.
Nëna e Navid Akram rrëfeu për The Sydney Morning Herald se kishte folur me djalin e saj vetëm pak orë para sulmit. “Ai më telefonoi dhe më tha: ‘Mami, sapo shkova të notoja, bëra zhytje. Hajde të dalim të hamë dhe pastaj të rrijmë në shtëpi sepse është vapë’,” deklaroi ajo. Sipas të njëjtit burim, Navid punonte si ndërtues, por ishte pushuar nga puna rreth dy muaj më parë. Ndërkohë, babai i tij, Shahid Akram, rezulton se kishte pasur për rreth 10 vjet një leje armëmbajtjeje. Ai ishte anëtar i një klubi qitjeje dhe mbante një leje për armë zjarri pa tytë të gjatë. Autoritetet bëjnë me dije se 50-vjeçari kishte në posedim gjashtë armë zjarri, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë sulmit në plazhin Bondi. Hetimet vijojnë, ndërsa Australia përballet me një valë zie dhe reflektimi mbi sigurinë dhe ekstremizmin e dhunshëm.
