Në 24 orët e fundit, Tirana është përfshirë nga disa ngjarje kriminale dhe aksidente.
Policia ka arrestuar disa shtetas për vepra të ndryshme penale. Kështu, janë referuar materiale në Prokurori raste si konflikte me mjete prerëse dhe drejtim automjeti pa leje apo ngacmimi seksual.
Në Kamëz, një autobus urban ka marrë flakë në lëvizje, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz. Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të çdo rasti.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1:
-arrestuan shtetasin D. Sh., 48 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe dje e ka kanosur me mjet prerës. Mjeti prerës u sekuestrua në cilësinë e provës materiale;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. H., 56 vjeç, pasi në fshatin Petrelë, ka pushtuar me vetëgjyqësi, një sipërfaqe toke të shtetasit K. L.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 ndaluan shtetasin D. H., 42 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj dy vajzave të tij të mitura.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 kapën edhe ndaluan shtetasin S. K. alias A. A., 38 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ngacmimi seksual”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin E. K., 30 vjeç, pasi në rrugën “Halit Haxhija”, për motive të dobëta, është konfliktuar dhe më pas ka goditur me mjet prerës shtetasit E. Q., 27 vjeç dhe E. Q., 23 vjeç, vëllezër. Vëllezërit ndodhen në spital, jashtë rrezikut. Punohet për kapjen e 30-vjeçarit dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin E. H., 37 vjeç, pasi për motive të dobëta, ka kanosur disa herë, vëllanë e bashkëshortes së tij. Punohet për kapjen e 37-vjeçarit dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Specialistët e qarkullimit rrugor:
-arrestuan shtetasin A. A., 19 vjeç, pasi në Rrugën e Dibrës, duke drejtuar automjetin, ka përplasur shtetasin A. K., 72 vjeç, këmbësor, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve;
-arrestuan shtetasin P. K., 64 vjeç, pasi në kryqëzimin e rrugëve “Ferit Xhajko” dhe “Siri Kodra”, me automjetin që drejtonte ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin F. Gj., 21 vjeç. Si pasojë janë dëmtuar drejtuesi dhe pasagjeri i motomjetit, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. K., 29 vjeç, pasi në aksin rrugor “Fikas-Mullet”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 3 pasagjerët, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas 16 vjeç, pasi u kap në Rinas, duke drejtuar automjetin, pa leje. Gjithashtu, u bllokua automjeti, për mungesë dokumentacioni.
-Kamëz/Informacion paraprak: Me datë 07.07.2025, në bulevardin “Nënë Tereza” dyshohet se si pasojë e një defekti teknik ka marrë flakë në lëvizje automjeti autobuz. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
