Për herë të parë në një emision televiziv, mjeku Skerdi Faria ka rrëfyer historinë e jetës së tij. Nga vitet e vështira të studimeve në Tiranë tek emigrimi në Itali ku teksa ndiqte specializimet punonte edhe si kamarier e së fundi te themelimi i KEIT në vitin 2011.

Duket sa e çuditshme aq dhe e vërtetë historia e tij dhe raporti me punën private, ku vetëm pak metra larg zyrave ku sot ndodhet KEIT ai nisi të shiste në rrugë vaj makinash.

Sapo kishte ardhur nga qyteti i Ballshit, ku me medalje ari kishte përfunduar shkollën e mesme, e tashmë në Tiranë do të ndiqte studimet e larta në mjekësi.

Ishin fillimet e viteve ’90 kur të dy prindërit mësues ishin hequr nga puna dhe familja nuk kishte asnjë burim të ardhurash.

“Biznesi i parë në thonjza ishte shitja e verës në Pazarin e Ri. Pastaj tek bordurat e Gjykatës së Lartë kam shitur lule plastike. Edhe ky biznes vajti keq. Më pas me vajin e makinës, por kur u hap kupola e Tiranës na falimentoi. Unë me ato para që kisha fituar mora me qira një dyqan të vogël fruta-perimesh të kohës së komunizmit, bëra ca punime brenda dhe krijova një bar- restorant të vogël. Çohesha në 5 të mëngjesit që të hapnim restorantin, gatuaja paçe, pilaf, tasqebap, në 8 shkoja në fakultet dhe vija era mish e era qepë. Pas leksioneve, me një biçikeletë (e më vonë mora një motor të vogël), bëja furnizimet tek Pazari i Ri dhe pasdite punoja aty në lokal. Në darkë studioja dhe të nesërmen e njëjta gjë”, tregoi mjeku gjatë intervistës për emisionin “Opinion”.

Pasi përfundoi Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1995 me mesataren 9.5 Skerdi Faria nisi punën në Institutin e Shëndetit Publik.

“Kur mbarova Fakultetin e Mjekësisë fillova punë në Institutin e Shëndetit Publik. Nuk harroj premisën time të punës. Profesor Edi Kakarriqi më ka thënë këto fjalë: Këtu bëhesh shkencëtar, por mbetesh i varfër. Kisha qejf të bëhesha shkencëtar, por nuk dëshiroja të mbetesha i varfër”, tregoi Faria.

Pikërisht në këto kushte në vitin 1997, ndërsa punonte në ISHP ku ishte duke u marrë edhe me disa studime shkencore, vjen një ftesë për një konferencë në Itali. Ai largohet drejt Romës me një vizë dhe vendos të qëndrojë atje.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Fillimisht nisi punë në “Istituto Superiore di Sanità” dhe 1 vit më pas nisi specializimin në “Higjienë e Mjekësi Preventive”.

Me tej, kreu njohjen e diplomës në “La Sapienza” dhe mori laurea në Mjekësi e Kirurgji.

Mbrojti doktoratën në universitetin e Romës “La Sapienza” me temën e një studimi shkencor mbi infeksionet spitalore, si bashkëpunim i “Istituto Superiore di Sanità” dhe QSUT.

Ne vitin 2009 përfundoi specializimin për Anestezi e Reanimacion në Universitetin e Romës, “Tor Vergata”.

Te dy specializimet dhe doktoratën i ka përmbyllur me lode, vleresimi maksimal në Itali.

Në vitin 2011, vendosi të rikthehet në Shqipëri ku themeloi klinikën estetike KEIT.

“Në 15 Janar të 2011 filluam vizitat e para për kirurgjinë estetike”, tregoi mjeku Faria, duke shtuar se nuk e kishte menduar që do të arrinte deri këtu.

“Për mua më mirë të punosh kot se sa të rrish kot. Kam bërë kamarierin, kam bërë instruktorin e palestrës. Në Itali isha mjek, bëja specializimin dhe punoja kamarier në fundjavë. Në moshën 40 -vjeçare nuk isha i ri, shpika KEIT. Nuk e kam bërë vetë, e kam bërë bashkë me ata 170 djem e vajza që punojnë me mua Nuk ma merrte mendja që do të rritej kaq shumë. Tani jam super i bindur që do të rritet shumë më tepër”, tregoi Dr. Skerdi.

Sot KEIT është i vetmi spital ditor mbi kirurgjinë estetike i liçencuar në Shqipëri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: