Trajneri i kombëtares, Sylvinho publikoi listën për ndeshjen e 26 marsit ndaj Polonisë, takim ky i vlefshëm për Play Off të Botërorit. Mungojnë Manaj dhe Daku për shkak dëmtimi, ftohen Mehmeti dhe Muçi, ndërsa spikat prezenca e Pllanës dhe Pilos për herë të parë. Numri një i pankinës kuqezi, bëri analizën e tij për zgjedhjet e bëra.

“Si trajner nuk më pëlqen të qaj dhe të ankohem. Rei Manaj është një futbollist emblematik për ekipin, vendin, federatën, ka bërë shumë mirë me ne. Por ne duhet të përshtatemi me situatën, të qajmë nuk vlen, sepse kemi të tjerë, ky është avantazhi i federatës, se dera është e hapur dhe ka lojtarë të tjerë që vijnë. Manaj kishte një dëmtim të rëndësishëm, për fat të keq edhe Daku nuk ka asnjë minutë në 2026. Atëherë përshtatesh. Duhet të mendosh, rimendosh e bësh gjëra.

Dera është e hapur, kemi 2-3 lojtarë që vijnë dhe jam shumë i lumtur padyshim edhe për ta. Sa i përket Pllanës e Pilos, prej kohësh jemi pas tyre duke i analizuar. Duke qenë se është një ndeshje e rëndësishme kemi hapësirën të shohim cilësitë e tyre. për këtë arsye kemi grumbulluar 26 lojtarë në mënyrë që të kemi mundësi të bëjmë vlerësime  se cilët lojtarë janë më të përshtatshëm. Kemi hapësirë 2-3 ditë përgatitje dhe më pas do të shohim”- tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb