Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë vijon hetimet për të zbuluar origjinën e mutacionit “Andean” të hantavirusit, i cili dyshohet se u transmetua pas kontaktit të dy pasagjerëve me brejtës gjatë një vëzhgimi zogjsh në Argjentinë, jeta në anijen turistike MV Hondius po përpiqet të vazhdojë mes frikës dhe pasigurisë. Anija, e cila reklamonte udhëtimin si “një eksperiencë që do ta mbani mend gjithë jetën”, është kthyer tashmë në qendër të një thrilleri shëndetësor që po ndiqet me shqetësim në të gjithë botën.

Në bordin e MV Hondius ndodhen 149 pasagjerë nga 23 vende, mes tyre edhe grekë, të cilët sipas raportimeve po përpiqen të ruajnë qetësinë, pavarësisht pranisë së ekspertëve të OBSH-së të veshur me kostume speciale karantine që kontrollojnë çdo cep të anijes për gjurmë brejtësish. Pasagjerëve u është kërkuar të qëndrojnë sa më shumë në kabinat e tyre, të përdorin dezinfektantë, të mbajnë maska dhe të respektojnë distancimin fizik, në një atmosferë që rikthen kujtimet e izolimeve gjatë pandemisë së koronavirusit. Situata mori jehonë të madhe në rrjetet sociale pas publikimit të një videoje nga vlogeri amerikan i udhëtimeve, Jake Rosemarin, i cili u shfaq i përlotur nga kabina e tij duke deklaruar: “Ne nuk jemi thjesht një histori apo tituj lajmesh. Kemi familje dhe njerëz që na presin në shtëpi”. Deklarata e tij shkaktoi reagime të shumta online, ku disa e mbështetën, ndërsa të tjerë i kërkuan të tregonte durim për sigurinë e pjesës tjetër të botës. Më vonë, vetë influencuesi publikoi video të tjera ku dukej më i qetë, ndërsa sipas tij ekuipazhi ishte kujdesur për pasagjerët duke u ofruar ushqim dhe mbështetje psikologjike.

Edhe influencuesi tjetër i udhëtimeve, Kassem Hato, deklaroi se “gjithçka është nën kontroll dhe pasagjerët janë të qetë”, në përpjekje për të frenuar panikun dhe teoritë konspirative që nisën të qarkullonin në rrjetet sociale. Në internet u përhapën pretendime se situata kishte dalë jashtë kontrollit, se pasagjerët po mbaheshin me forcë në kabina, madje edhe teori absurde që pretendonin se anija nuk ekzistonte fare.

Ndërkohë, një video e regjistruar më 12 prill tregonte kapitenin e anijes duke informuar pasagjerët se një person kishte ndërruar jetë gjatë natës “nga shkaqe natyrore”, duke i siguruar se “anija është e sigurt dhe situata nuk është ngjitëse”. Megjithatë, jashtë anijes situata është shumë më e tensionuar. MV Hondius, ku janë konfirmuar tre raste me hantavirus dhe të paktën pesë raste të dyshuara, mori fillimisht leje nga Spanja për t’u ankoruar në Ishujt Kanarie, por vendimi u kundërshtua nga presidenti i rajonit, Fernando Clavijo, ndërsa edhe autoritetet e Kepit të Gjelbër refuzuan hyrjen e anijes. Anija turistike ishte nisur më 1 prill nga Ushuaia e Argjentinës, qyteti më jugor i planetit, duke kaluar pranë brigjeve të akullta të Amerikës së Jugut, ishullit britanik të Xhorxhias së Jugut dhe Tristan da Cunha, ishulli më i izoluar i banuar në botë.

Drama nisi më 11 prill, kur një pasagjer holandez humbi jetën në rrethana të paqarta. Trupi i tij u transportua dy javë më vonë, ndërsa bashkëshortja e tij përfundoi në spital në Johanesburg të Afrikës së Jugut. OBSH konfirmoi se 69-vjeçari ishte infektuar me hantavirus. Më 27 prill, një tjetër pasagjer u dërgua në gjendje kritike në një spital të Afrikës së Jugut, ndërsa më 2 maj një turist gjerman humbi jetën në bord. Autoritetet dyshojnë se shpërthimi lidhet me mutacionin “Andean” të hantavirusit, një variant i rrallë që mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu dhe që shkakton pneumoni të rëndë, shpesh fatale. Sipas hetimeve, disa pasagjerë mund të kenë rënë në kontakt me brejtës gjatë qëndrimit në zonat rurale të Argjentinës, ku edhe në vitin 2018 ishte regjistruar një shpërthim vdekjeprurës i të njëjtit mutacion.

Virusi bartet nga minjtë e orizit xhuxh me bisht të gjatë, të zakonshëm në zonat rurale argjentinase. Infektimi ndodh zakonisht përmes kontaktit me urinën, jashtëqitjet ose pështymën e tyre, por në rastin e mutacionit “Andean”, transmetimi mund të ndodhë edhe mes njerëzve. Edhe pse OBSH vlerëson se rreziku për një emergjencë globale mbetet i ulët, hantaviruset janë klasifikuar si patogjenë prioritarë me potencial të lartë për të shkaktuar emergjenca ndërkombëtare shëndetësore. Sipas ekspertëve, infeksioni nga hantavirusi mund të jetë fatal në deri në 40% të rasteve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: