Takimi i parë ballë për ballë mes Presidentit të SHBA, Joe Biden dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin do të mbahet më 16 qershor në Gjenevë të Zvicrës.

Shtëpia e Bardhë konfirmon se është arritur marrëveshja me Kremlinin për të mbajtur samitin në një tokë neutrale si Zvicra.

“Presidenti Biden do të takohet me Presidentin Putin në Gjenevë, Zvicër në 16 Qershor 2021. Udhëheqësit do të diskutojnë gamën e plotë të çështjeve të ngutshme, ndërsa ne kërkojmë të rikthejmë parashikueshmërinë dhe stabilitetin në marrëdhëniet SHBA-Rusi”, deklaruan nga Shtëpia e Bardhë.

Ky do të jetë dhe udhëtimi i parë ndërkombëtar i Biden si Presidenti i SHBA. Këtë vit ka pasur marrëdhënie të acaruara mes SHBA dhe Rusisë që kulmuan në mars me lajmin se Rusia kishte tentuar të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale ku garonte Biden.

Ky i fundit akuzoi drejtpërdrejt Putinin si vrasës dhe e kërcënoi se do të paguante çmimin. Të tjera çështje që do të diskutohen mes Putin dhe Biden janë edhe pandemia apo konfliktet rajonale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb