20 piktura që i kushtohen lumit dhe marrëdhënies së njeriut me të u shfaqën në ekspozitën e piktori Vangjel Nikolla. Veprat në teknikën vaj në kanavacë, nisin me përjetime personale e prekin elemente te ikonografisë
“Kjo vepër është tejet e veçantë për mua, sepse ky është im atë. Ia kushtoj atij këtë vepër, sepse ka qenë ai që më ka njohur me natyrën dhe më ka nxitur të merrem me pikturë”.
Piktori Vangjel Nikolla e nis me një histori personale rrëfimin e tij për ekspozitën kushtuar lumit. E çelur në hapësirën e gjelbër pranë lumit Erzen, ai solli në telajo tematikën e lumit e kulturën e lidhur me të, duke nisur nga kujtimet e veta.
Veprat shpalosin një histori të re mbi jetën, kohën dhe lidhjen e njeriut me lumin, marrëdhënien me fëmijët, të moshuarit, vashat, lojërat, kuajt. Loja me dritën e ridimensionon veprën dhe raportin e saj publikun.
Ekspozita nuk ishte thjesht një ngjarje kulturore, por edhe një thirrje për ta parë artin si një urë lidhëse mes qytetit, natyrës dhe shpirtit njerëzor.
