Uashingtoni mund të vazhdojë ta konsiderojë programin bërthamor të Iranit si kërcënimin kryesor për interesat e tij, por vëmendja strategjike në rajon është zhvendosur gjithnjë e më shumë te arsenali i raketave balistike të Teheranit. Sipas vlerësimeve izraelite, që nga operacioni i verës “Am Kalavi”, Irani ka vepruar me ritëm të përshpejtuar: ka riparuar dëmet, ka rritur prodhimin dhe ka analizuar çdo goditje të marrë. Pyetja kyçe është se si ky arsenal është shndërruar në një “politikë sigurimi” për regjimin, cilat sisteme të rënda mbeten në dispozicion dhe nëse kërcënimi tashmë shtrihet edhe drejt Evropës.
Shpërthimi që shënoi programin
Më 12 nëntor 2011, në një bazë sekrete pranë Bidganeh, rreth 45 kilometra nga Teherani, një shpërthim i fuqishëm gjatë testimit të një rakete balistike me lëndë djegëse të ngurtë tronditi programin raketor iranian. Në vendngjarje ndodheshin oficerë të lartë të Gardës Revolucionare, përfshirë Gjeneralin e Brigadës Hassan Tehrani Moghaddam, i konsideruar “babai” i programit balistik të Iranit. Shpërthimi shkaktoi një zinxhir detonimesh që shkatërruan pjesën më të madhe të bazës, duke lënë të vrarë të paktën 36 persona, mes tyre edhe Moghaddamin. Megjithatë, më shumë se një dekadë më vonë, programi jo vetëm që mbijetoi, por u zgjerua ndjeshëm.
Për vite me radhë, Izraeli e ka cilësuar programin bërthamor iranian si “kërcënimin më të madh”. Por pas zhvillimeve të fundit dhe dëmtimeve të pretenduara ndaj infrastrukturës bërthamore, prioriteti i sigurisë është zhvendosur drejt raketave balistike, të konsideruara tashmë kërcënimi më i menjëhershëm. Sipas Meir Ben-Shabbat, udhëheqja iraniane synon të ndërtojë një sistem raketor “në sasi, cilësi dhe rreze veprimi” të mjaftueshme për të kërcënuar vetë ekzistencën e Izraelit. Edhe pse sistemet mbrojtëse si Iron Dome kanë arritur shkallë të lartë interceptimi, ekspertët izraelitë theksojnë se në një konflikt të ardhshëm faktori vendimtar mund të jetë vëllimi i zjarrit.
Ish-zyrtarë të inteligjencës izraelite e përshkruajnë programin raketor si “boshtin qendror” të doktrinës mbrojtëse iraniane. Sipas tyre, ai konsiderohet nga Teherani si plotësisht mbrojtës dhe i panegociueshëm, edhe në kuadër të bisedimeve indirekte me SHBA-në.Eksperti Tali Inbar vlerëson se Irani zotëron ende dhjetëra raketa të rënda Khorramshahr-4, me rreze rreth 2,000 kilometra dhe kapacitet për të mbajtur një kokë luftarake prej 1,500 kilogramësh. Në total, flitet për mijëra raketa në arsenalin e përgjithshëm, megjithëse shifrat e sakta mbeten të paqarta. Programi balistik iranian nisi si përgjigje ndaj sulmeve raketore irakiane gjatë luftës së viteve 1980. Fillimisht, Irani bleu raketa të tipit Scud nga vende si Siria dhe Koreja e Veriut, për t’i çmontuar dhe riprodhuar përmes inxhinierisë së kundërt. Kjo çoi në zhvillimin e modeleve si Shahab-1 dhe Shahab-2. Në vitet 1990, fokusi kaloi në rritjen e rrezes së veprimit, përmirësimin e saktësisë dhe kalimin nga lëndët djegëse të lëngshme në ato të ngurta, duke rritur gatishmërinë operacionale.
Irani ka investuar në objekte nëntokësore të ndërlidhura, të njohura si “qytete raketash”, për të rritur mbijetesën e arsenalit të tij. Rrezja e disa sistemeve teorikisht mund të arrijë në pjesë të Evropës Jugore dhe Lindore, ndërsa zhvillohen edhe aftësi kundër anijeve për të kërcënuar forcat amerikane në Gjirin Persik. Sipas vlerësimeve izraelite, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërcënimi ekzistencial mbetet programi bërthamor, ndërsa raketat trajtohen si çështje dytësore. Izraeli, nga ana e tij, e konsideron arsenalin balistik një “vijë të kuqe” dhe kërkon që ai të mos mbetet jashtë çdo marrëveshjeje të mundshme. Strategjia izraelite nuk synon domosdoshmërisht eliminimin e plotë të aftësisë raketore iraniane, por shkaktimin e dëmeve të thella që do të ngadalësonin rindërtimin dhe do të rrisnin kostot për Teheranin. Sipas Ben-Shabbat, për sa kohë regjimi aktual mbetet në pushtet, përballja me fuqizimin raketor do të jetë një proces i vazhdueshëm dhe afatgjatë.
