Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj.
Në një reagim në ‘Facebook’, Spahia theksoi se në qendër të bisedës ishte foksi te përmirësimi i pozitës së shqiptarëve dhe mbrojtja e të drejtave të tyre.
REAGIMI
Kënaqësi e veçantë të zhvilloja një takim vëllazëror dhe shumë konstruktiv me Z. Nikollë Camaj, Zv. Kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.
Në qendër të bisedës sonë ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, me një fokus të posaçëm te përmirësimi i pozitës së shqiptarëve, mbrojtja e të drejtave dhe rritja e përfaqësimit institucional të tyre. Ruajtja e identitetit tonë kombëtar është një mision i shenjtë që na bashkon të gjithëve.
E përgëzova Z. Camaj për progresin e rëndësishëm që Mali i Zi ka bërë në rrugën e integrimit Europian duke qenë disa hapa përpara Shqipërisë në këtë proces dhe për rolin e jashtëzakonshëm që faktori shqiptar ka patur dhe ka në mbështetje të këtij rrugëtimi!
Diskutuam gjithashtu për situatën në Shqipëri, protestën qytetare, betejat dhe përpjekjet e vazhdueshme të Partisë Demokratike dhe opozitës Shqiptare në denoncimin e lidhjeve me krimin e organizuar, trafikun e drogës, korrupsionin si dhe nevojën për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Çështje dhe problematika me rëndësi të veçantë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Ndamë të njëjtin vizion mbi domosdoshmërinë e gjallërimit dhe aktivizimit të Grupeve Parlamentare të Miqësisë mes Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Malit të Zi. Dialogu i vazhdueshëm dhe mbështetja e ndërsjellë përmes këtyre mekanizmave janë garanci jo vetëm për thellimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale, por edhe për konsolidimin e vlerave demokratike dhe përshpejtimin e integrimit europian të dy vendeve tona.
E falënderova Z. Camaj për mikpritjen dhe shkëmbimin e frytshëm të ideve, duke i shprehur vlerësimin dhe mbështetjen për arritjet e deritanishme të faktorit shqiptar në Malin e Zi. Gatishmëria dhe vullneti për të kontribuar në dobi të shqiptarëve kudo ndodhen do të jenë gjithmonë të palëkundura.🇦🇱
