Në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News 24, avokati Erald Aga trajtoi disa nga problemet më të zakonshme që lidhen me pronat.
Ai theksoi se bashkëpronarët mund të heqin dorë nga trashëgimia përmes noterit, që më pas regjistrohet në ASHK. Konfliktet për rrugë kalimi ose gardhe, sipas tij, mund të zgjidhen me marrëveshje ose në gjykatë.
Aga sqaroi se certifikata e pronësisë është e domosdoshme për përdorimin ligjor të pronës. Ai theksoi rëndësinë e regjistrimit të pemëve përballë fatkeqësive natyrore. Po ashtu, foli për të drejtën e parablerjes nga qiramarrësit dhe detyrimin për të regjistruar kontratat afatgjata.
Avokati Erald Aga: Nëse disa persona janë bashkëpronarë dhe duan që pjesën e tyre duan ta gëzojë vetëm një familjar ose dy, mund të veprojnë në një formë. Nëse për pjesën e vet dua të heqin dorë nga trashëgimia, mund ta bëjnë tek noteri. Heqja dorë nga e drejta e pasurisë (që një i afërm nuk e do pasurinë e vet dhe do t’ja lërë të afërmit) duhet të shkojë tek noteri, që ta regjistrojë në ASHK.
Ka dhe probleme të tilla, që një pronë nuk akseson dot rrugën apo ujin. Zgjidhja mund të arrihet me marrëveshje mes dy pronarëve. Njerëzit edhe janë vrarë për një gardh, për një rrugë kalimi. Kur ka të tilla sherre, më mirë është t’i drejtohemi gjykatës. Kur e merr gjykata në dorë, do gjej mënyrë që pronës t’i japë akses.
Certifikata e pronësisë është thjesht për njohje nga hipoteka, që mund ta përdorësh pronën nga të tretët. Dmth me certifikatë pronësie, mund ta shesësh pronën, mund ta përdorësh, prandaj qytetarët e duan. Duhet hipoteka, sepse me hipotekë mund ta marrësh kredinë.
Edhe regjistrimi i pemëve është i rëndësishëm, sepse në atë zonë ndodh një katastrofë natyrore apo problem tjetër dhe shteti të thotë se unë nuk di sa pemë ke, se nëse nuk e ke regjistruar, ti mund t’i thuash shtetit që kam pasur 1.000 ullinj, por pa regjistrim, shifra nuk mund të jetë e besueshme.
E drejta e parablerjes funksionon te ata persona, kur prsh marrëdhënia e qirasë zgjat me vite. Nëse pronari i banesës do që ta shesë shtëpinë, personi i parë që mund t’ia shesë është qiramarrësi. Qiramarrësi mund ta ketë edhe në kontratë që nëse qiradhënësi do shesë pronën, ai e ka të drejtën i pari ta blejë këtë pronë. Çdo kalim pronësie është i domosdoshëm të bëhet tek noteri. Edhe kontratat e qirasë mbi 1-vjeçare mund të regjistrohen. Kontratat afatgjatë të qirasë mbi 9-vjeçare janë të detyrueshme të regjistrohen, në të kundërt marrëdhënia rrezikon mos të jetë normale.
