Ish-shefi i Komisariatit nr. 2 në Tiranë, Ritvan Pali, i cili u përplas me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, pas arrestimit të Altin Morinës, ish-efektiv i RENEA-s, i kërkuar nga SPAK për lidhje me grupe kriminale, ka fituar gjyqin në Gjykatën Administrative.
Pas arrestimit të Morinës, ndaj Palit nisi një përndjekje nga kupola e Policisë së Shtetit, fillimisht duke e ndëshkuar me masë disiplinore ulje në gradë dhe më pas duke e transferuar në detyra më të ulëta në rrethe. Argumenti që përdori Drejtoria e Standardeve Profesionale për ta ulur në gradë Ritvan Palin për një vit ishte mosmbajtja e uniformës më 11 maj, ditën e zgjedhjeve parlamentare, kur u shënua një incident pasi Belind Këlliçi pretendoi në atë kohë se kishte zbuluar një zyrë patronazhimi të fshehtë të kandidatit Erion Braçe.
Gjatë gjykimit të çështjes në Gjykatën Administrative, Pali arriti të provonte se, kur policia ndërhyri për të sqaruar incidentin, ai ishte i pajisur me dokumentin e identifikimit të Policisë së Shtetit dhe se kishte zbatuar ligjin “Për Policinë e Shtetit”.
Gjykata, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, vendosi të shfuqizojë vendimin nr. 150, datë 23 korrik 2025, të Komisionit Disiplinor të Drejtorisë së Standardeve Profesionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, përmes të cilit ndaj Ritvan Palit ishte caktuar masa disiplinore “ulje me një gradë” për një periudhë 1-vjeçare. Fitorja për ish-shefin e komisariatit Pali duket se është më shumë morale, pasi ai ka vendosur të largohet me dorëheqje nga radhët e Policisë së Shtetit.
