Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar në Kuvend një projektvendim për disa ndryshime dhe shtesa në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Shkresa, me nr. 944 Prot., mban datën 2 mars 2026 dhe i drejtohet kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Projektvendimi, i mbështetur në nenin 75, pika 2 të Kushtetutës dhe nenin 117 të Rregullores së Kuvendit, synon ndryshime të rëndësishme në procedurat parlamentare, organizimin e komisioneve të përhershme, si dhe në mekanizmat e mbikëqyrjes institucionale.

Procedurë e përshpejtuar për ligjet e integrimit

Një nga ndryshimet kryesore parashikon futjen e një neni të ri (neni a/8), që sanksionon procedurën e përshpejtuar për shqyrtimin e projektligjeve që lidhen me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, marrëveshjet që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe detyrimet e procesit të negociatave për anëtarësim.

Sipas propozimit, këto projektligje do të përfshihen menjëherë në programin e punës së Kuvendit dhe do të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar, me përjashtim të ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar sipas nenit 81, pika 2 të Kushtetutës.

Riorganizim i komisioneve të përhershme

Ndryshimet prekin edhe nenin 19 të Rregullores, duke përcaktuar ngritjen e 11 komisioneve të përhershme me emërtesa dhe fusha përgjegjësie të riformuluara. Mes tyre përfshihen:

  • Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat
  • Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
  • Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes
  • Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme
  • Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik
  • Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale

Ky i fundit merr një rol të shtuar në kontrollin post-legjislativ dhe koordinimin e dialogut ndërinstitucional.

Shkurtohet koha e fjalës në seancë

Projektvendimi parashikon gjithashtu uljen e kohës së diskutimit për deputetët në disa raste, nga 10 minuta në maksimum 5 minuta, si dhe rregullime të reja për organizimin e debateve dhe raportimeve në seancë plenare.

Mekanizëm i ri për raportimin dhe monitorimin

Ndryshimet në nenin 103 dhe vijues synojnë forcimin e mekanizmit të raportimit të institucioneve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj. Parashikohet hartimi i një kalendari vjetor për paraqitjen e raporteve, organizimi i seancave dëgjimore dhe miratimi i një Mekanizmi të Monitorimit Periodik dhe Vjetor të Institucioneve.

Gjithashtu, forcohet roli i Kuvendit në trajtimin e nismave qytetare dhe peticioneve, me afate të qarta për shqyrtimin dhe përgjigjen ndaj tyre.

Rregulla të reja për zgjedhjet dhe shkarkimet

Projektvendimi përcakton procedura më të detajuara për zgjedhjen e anëtarëve në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj, si në rastet kur propozohen nga institucione të tjera, ashtu edhe kur propozohen nga një grup deputetësh.

Po ashtu, kërkesa për shkarkimin e anëtarëve të këtyre organeve duhet të paraqitet me shkrim dhe të jetë e motivuar nga jo më pak se 28 deputetë, përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb