Vllaznia do të nisë përgatitjet për sezonin e ri 2025- ‘26 këtë të hënë, ku kuqeblutë do të zbresin për herë të parë në fushën e lojës. Kështu, shkodranët rikthehen në seancat e zakonshme stërvitore që prej datës 12 maj, ku ekipi ishte shpërndarë dhe kishte shijuar pushimet.
Tashmë, pas më shumë se 20 ditësh, skuadra ka edhe një trajner të ri që do të drejtojë në edicionin e ri. Ai është Edi Martini, i cili pritet të sjellë ndryshime në skuadër dhe qasja e tij pritet me shumë kuriozitet në Shkodër. Në këtë mënyrë, ish-fantazisti do të drejtojë seancën e parë stërvitore dhe do të bëjë prezantimin zyrtar para futbollistëve të tij.
Përgatitjet e fillimverës do të vijojnë në Shkodër deri në datën 14-15 qershor, ku më pas kuqeblutë do të udhëtojnë jashtë vendit për të zhvilluar fazën përgatitore para ndeshjeve të “Conference League”.
Sipas të gjitha gjasave, do të jetë Bullgaria destinacioni i kuqebluve për zhvillimin e fazës përgatitore verore, me kuqeblutë që vijojnë kështu me traditën e viteve të fundit, duke i zhvilluar fazat verore jashtë vendit dhe konkretisht në gadishullin e Ballkanit. Tashmë në Shkodër të gjithë janë kuriozë për Vllazninë e “re” dhe paraqitjen e saj të parë zyrtare në fushë për edicionin 2025-‘26.
