Salvador Kaçaj, kandidati i Partisë Demokratike për deputet në qarkun e Tiranës, ka shpërndarë një mesazh në prag të zgjedhjeve të 11 majit, duke theksuar përkushtimin e tij të hershëm ndaj vendit dhe gatishmërinë për të përfaqësuar qytetarët në Parlament.

I njohur si ish-futbollist i Kombëtares Shqiptare, Kaçaj rrëfen se lidhja e tij me Shqipërinë ka nisur që 36 vite më parë, në fushën e sportit, dhe ka vazhduar përmes angazhimit në jetën publike dhe politike.

“Në fushë, në bashki dhe nesër në Kuvend , kam dhënë dhe do të vazhdoj të jap për këtë vend,” shprehet Kaçaj në videon e tij.

Ai kujton eksperiencën si kryetar i Bashkisë Shëngjin, ku thotë se mësoi të vërë interesin e qytetarit mbi gjithçka tjetër.

“Si kryetar i bashkisë së Shëngjinit mësova se qytetari për mua është i pari. I hyra punës pa fjalë, por me vepra.”

Kaçaj kritikon ashpër modelin aktual të qeverisjes, duke e cilësuar si një sistem të ndërtuar mbi “fasadë dhe gënjeshtër”, i shkëputur nga realiteti dhe hallet e qytetarëve të zakonshëm.

“Zgjedhjet e 11 majit janë një shpresë e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët,” nënvizon ai. “Sot jam në Tiranë për të qenë zëri i qytetarëve të saj, zëri i të harruarve dhe i të padëgjuarve.”

Në përmbyllje të mesazhit, Kaçaj fton qytetarët të mbështesin kandidaturën e tij dhe të votojnë numrin 1 më 11 maj, për një Shqipëri Madhështore.

MESAZHI i  PLOTE

Unë jam Salvador Kaçaj, këtu nisi gjithçka. 36 vite më parë vesha fanellën kuq e zi, si futbollist i kombëtares shqiptare ku mësova cfarë do të thotë të japësh gjithçka për vendin tënd.

Por lidhja me vendin tim nuk mbaron në stadium. Si kryetar i bashkisë së Shëngjinit mësova se qytetari për mua është i pari. I hyra punës pa fjalë, por me vepra.

Zgjedhjet e 11 majit janë shpresë e madhe për Shqipërinë e shqiptarët. Ky standard qeverisjeje që ka në themel fasadën dhe gënjeshtrën e ka humbur prej kohësh lidhjen me realitetin. Sot jam në Tiranë për të qenë zëri i qytetarëve të saj, zëri i të harruarve dhe zëri i të padëgjuarve.

Kam dhënë për këtë vend, në fushë, në bashki dhe nesër në Kuvend për një Shqipëri Madhështore.

Bëhu kampion edhe ti. Voto nr.1

 

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb