Drejtoresha e Informacionit në News24, Anila Jole, e ftuar në emisionin “Kjo Javë”, ka rrëfyer përjetimet e saj personale dhe profesionale pas ndërhyrjes së autoriteteve shtetërore ndaj News24 dhe mediave të tjera të grupit, si dhe për ringritjen e televizionit pas këtij aksioni.

Jole theksoi se mëngjesi i 9 gushtit ishte një nga momentet më të vështira të jetës së saj. “U zgjova me lajmin se policia dhe ushtria kishin ardhur në News24. U përzien ndjenja trishtimi, frike për të ardhmen dhe dhimbjeje për televizionin ku kisha kaluar kaq shumë vite të jetës sime,” u shpreh ajo. Sipas saj, në atë situatë ishte e pamundur të ndaje gazetaren, drejtuesen dhe njeriun, pasi gjithçka u përjetua njëkohësisht.

Ajo tregoi se sfida më e madhe ishte motivimi i stafit, i cili u përball me pasiguri dhe frikë reale për mbylljen përfundimtare të televizionit. “Ishte një ditë vere, e shtunë, kur shumë prej tyre ishin me pushime dhe u gjetën përpara dyerve të mbyllura, pa asnjë shpresë apo sqarim,” tha Jole, duke shtuar se situata u perceptua si një aksion i qëllimshëm për mbylljen e News24.

Në këtë kontekst, ajo vlerësoi përkushtimin e punonjësve të News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, si dhe të administratës, të cilët u rikthyen edhe nga pushimet për të qëndruar pranë redaksisë. “Ne nuk po mbronim vetëm një godinë, por misionin tonë. Dhe e vazhduam atë, edhe me transmetime të improvizuara, në kushte ekstreme,” theksoi Jole, duke kujtuar temperaturat që shkonin deri në 42 gradë Celsius dhe praninë e vazhdueshme të forcave të policisë dhe ushtrisë, pa asnjë komunikim apo sqarim institucional.

Një nga momentet më të rënda, sipas saj, ishte hyrja në ambientet e televizionit pas disa ditësh. “Pashë një redaksi të bastisur, bosh, me objekte të lëna përtokë. Ishte një ndjesi tmerri. Të hysh në vendin ku ke punuar për vite dhe ta gjesh në atë gjendje, është diçka që të mbetet brenda,” u shpreh ajo.

Megjithatë, pavarësisht vështirësive, Jole theksoi se stafi arriti të krijojë në kohë rekord një regji të re dhe të rikthehet në transmetim më 18 gusht. Sot, News24 vijon punën nga ambientet në rrugën “Panorama”, duke e konsideruar këtë periudhë si një nga më të rëndat në historinë e televizionit.

“Ishte një javë shumë e vështirë, me një ndjesi të rëndë edhe nga mënyra si u sollën forcat e policisë, ushtrisë dhe përfaqësuesit e shoqërisë KAYO, pa asnjë komunikim, sikur të ishim palë armike,” përfundoi Jole, duke shprehur shpresën që një situatë e tillë të mos përsëritet më kurrë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb