Përmes denoncimeve të vazhdueshme për korrupsionin në qeveri dhe shkeljen e ligjit nga njerëz me pushtet, News24 prej vitesh ka nxjerrë në dritë abuzime që shumë të tjerë i shmangnin.
Për shkak të këtij qëndrimi të pakompromis të medias sonë, pushteti ndërhyri me forcë, duke ndaluar hyrjen e punonjësve në ambientet e televizionit dhe duke ndërprerë transmetimin.
Një sulm i papritur dhe i dhunshëm i shtetit më 9 gusht 2025 nxori me forcë gazetarët dhe stafin e News24 nga godina ku ushtronin prej vitesh misionin e tyre.
Në orët e para të mëngjesit të 9 gushtit 2025, pa asnjë paralajmërim zyrtar dhe pa një proces transparent, ambientet e televizionit u rrethuan me polici e ushtri dhe transmetimi u ndërpre. Askush nuk u lejua të hynte më, askujt nuk iu lejua të merrte materialet e punës, sendet, kompjuterat personalë dhe as dokumentacionin profesional, mjete thelbësore për ushtrimin e lirë të gazetarisë.
Arkiva dhe materiale të rëndësishme mbetën të bllokuara brenda godinës dhe u zhvendosën me kamiona ushtrie. Ky veprim cenoi drejtpërdrejt punën e qindra punonjësve, të drejtën për informim të publikut dhe funksionimin normal të medias.
Gazetarët dhe punonjësit e News24, por jo vetëm, protestuan në mënyrë paqësore për disa dite përpara godinës, duke kërkuar të drejtën për të marrë mjetet e tyre të punës dhe për të vijuar informimin e publikut.
Edhe pse të përjashtuar fizikisht nga ambientet e televizionit, puna nuk u ndal dhe zëri i gazetarisë nuk heshti. News24 vijoi transmetimin jashtë mureve të tij, në kushte të jashtëzakonshme, duke dhënë një mesazh të fortë rezistence dhe profesionalizmi. Pamjet e transmetimit në ambient të hapur u kthyen në simbol të qëndresës ndaj presionit dhe ndërhyrjes shtetërore.
Pas kësaj tronditjeje të fortë, erdhi ringritja. Brenda një kohe shumë të shkurtër, botuesi i Focus Media News, z.Irfan Hysenbelliu, vuri në jetë vizionin e tij; rihapi televizionin, riorganizoi stafin dhe transmetimi rifilloi.
Me mjete minimale dhe mjedise modeste, por me përkushtim të madh ndaj së vërtetës dhe publikut, News24 dëshmoi se nuk është thjesht një godinë apo pajisje teknike.
News24 është njerëzit e tij! Janë gazetarët që raportojnë, operatorët që sjellin pamjen dhe një mision që nuk ndalet as nën presion, as përballë forcës.
Sot, megjithë ngjarjen e rëndë që përjetoi, News24 vijon me intensitet punën. Transmetimi vazhdon pa ndërprerë. E vërteta vazhdon të thuhet. Ngjarjet e fundit me Belinda Ballukun dhe Akshi-n treguan se denoncimet dhe investigimet tona ishin të sakta dhe ato do të vazhdojnë! Sepse fjala e lirë nuk shuhet me urdhër dhe gazetaria nuk ndalohet me forcë!
