Deputetët e Kuvendit përpos rrogës, kanë edhe përfitime të tjera shtesë për punën që bëjnë si të zgjedhur dhe përfaqësues të qytetarëve, edhe në një periudhë krize.

Shifrën prej 40 mijë eurosh vetëm për karburantin e kanë përfituar të gjithë ligjvënësit, 124 të zgjedhur. Ajo që bie në sy është se asnjë deputet nuk e ka refuzuar këtë pagesë. Duke i hedhur një sy listës së deputetëve rezulton se ata që kanë përfituar më shumë ose pagesën maksimale prej 40 mijë lekësh janë ata që përfaqësojnë edhe qarqet më të largëta. Në krye të listës qëndrojnë deputetët e Shkodrës, Vlorës dhe Korçës, të cilët kanë një kosto më të lartë për buxhetin e shtetit.

Një nga zërat për të cilat është paguar më shumë në muajin shkurt është edhe dieta e deputetëve. Gjatë këtij muaji, janë shpenzuar 50 mijë euro ose 6 272 177 lekë vetëm për dietat për 117 ligjvënësit, pasi 10 prej tyre e kanë refuzuar këtë lloj pagese.

Pjesa më e madhe e deputetëve, 97 kanë përfituar të njëjtën shifër, 75 250 lekë. Pjesë e kësaj liste janë edhe ish-Kryeministri Sali Berisha, ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, apo kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, që kanë përfituar shifrën 75 250 lekë.

13 deputetë kanë përfituar shifrën e njëjtë prej 37 625 lekë dhe 3 deputetë kanë përfituar 39 506 lekë. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka përfituar në muajin shkurt 54 895 lekë dieta, ndërsa dy nënkryetarët, respektivisht Ermonela Felaj 45 026 lekë dhe Agron Gjekmarkaj 75 250 lekë dieta.

Një nga përfitimet e përmuajshme të deputetëve është edhe pagesa e komunikimeve në telefon.

Në bazë të listëpagesave të Kuvendit, rezulton se për muajin shkurt 124 deputetët kanë përfituar 2 135 000 lekë ose rreth 20 mijë euro shpenzime për telefonin e tyre.

Pagesat për këtë përfitim janë të ndarë në dy shifra, 20 mijë lekë në muaj dhe 17 mijë lekë në muaj. 20 mijë lekë në muajin shkurt për telefonin përfituan Taulant Balla, Arben Pëllumbi, Eduard Shalsi, Jorida Tabaku, Grida Duma, Nasip Naço, Flutura Açka, Mimi Kodheli, Klotilda Bushka. Pagesa për qira për deputetët, të cilët përfaqësojnë zona të largëta janë paguar në muajin shkurt plot 585 666 lekë.

Ketë shifër e kanë përfituar 17 deputetë, pjesa më e madhe e tyre kanë marrë shifrën 35 mijë lekë në muaj. Po ashtu, gjatë muajit shkurt janë bërë edhe pagesa për hotel, për 6 deputetë në shumë prej 129 000 lekë. Në total, 127 ligjvënës shqiptarë përpos pagës mujore i kanë kushtuar buxhetit të shtetit plot 14 774 306 lekë ose rreth 120 mijë euro./Panorama

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb