Në episodin më të fundit të Public Square Ditmir Bushati diskuton me Lina Benabdallah, akademike në Qendrën Weatherhead për Çështjet Ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit.

Diskutimi u përqendrua në transformimet e rendit botëror, rivalitetin mes fuqive të mëdha dhe ndikimin e këtyre zhvillimeve në Jugun Global.

Biseda trajtoi çështjen nëse bota po përballet me një ndryshim hegjemonie apo me një transformim më të thellë të vetë rendit ndërkombëtar të ndërtuar pas vitit 1945. U analizua dobësimi i konsensusit perëndimor, sfidat ndaj institucioneve shumëpalëshe si OKB, FMN dhe Banka Botërore, si dhe perceptimet kritike që vijnë nga vendet e Afrikës, Azisë Qendrore dhe Amerikës Latine mbi funksionimin aktual të sistemit global.

Një fokus i veçantë iu kushtua narrativave strategjike që po ndërton Kina, veçanërisht në Jugun Global. U theksua se Kina kombinon diskursin politik me investime konkrete infrastrukturore përmes nismës “rripit dhe rrugës” duke ofruar një alternativë të perceptuar ndaj modeleve tradicionale të zhvillimit të promovuara nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Diskutimi trajtoi gjithashtu konceptin e “diplomacisë së borxhit”, interesat strategjike të Kinës në mineralet kritike dhe infrastrukturën globale, si dhe dilemat që përballen vendet në zhvillim përballë presionit të zgjedhjes mes fuqive të mëdha. Nga perspektiva e Jugut Global, një konfigurim bipolar SHBA–Kinë shihet jo si garanci stabiliteti, por si rrezik për rikthimin e një logjike të ngjashme me Luftën e Ftohtë.

Në përmbyllje, u diskutuan skenarët e mundshëm për dekadën e ardhshme, ku rendi ndërkombëtar parashikohet të mbetet i fragmentuar, me rritje të alternativave rajonale dhe me sfida të brendshme në Perëndim që ndikojnë drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë e sistemit shumëpalësh.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb