Vizita e vajzës së presidentit të SHBA-së në Shqipëri, Ivanka Trump është pritur me shumë interes dhe kuriozitet për investimet e parashikuara nga bashkëshorti i saj, Jared Kushner në Vlorë.
Përveç ishullit të Sazanit dhe Manastirit të Zvërnecit, një nga zonat që vizitoi Ivanka Trump në vizitën e saj të shkurtër dy ditore në Vlorë, ishte dhe Akërnia, një zonë që nuk njihet shumë e megjithatë, është mesa duket në optikën e investimeve të dhëndrit të presidentit amerikan, për të investuar së shpejti.
Vizita në Akërni e Ivankës pati jehonë në mediat shqiptare, duke rikthyer vëmendjen tek kjo perlë e fshehur e Vlorës, e cila deri më tani ka ruajtur një bukuri thuajse të paprekur.
Akërnia, e pozicionuar përballë ishullit të Sazanit dhe pranë Zvernecit, ofron një plazh tërësisht të virgjër, ujëra të kristalta dhe një peizazh natyror mbresëlënës, larg zhurmës dhe betonizimit masiv.
Kjo zonë shihet nga ekspertët e turizmit si një destinacion me potencial të jashtëzakonshëm për turizëm elitar dhe të qëndrueshëm.
Sipas burimeve, nëse Ivanka Trump do të investojë në këtë zonë, Akënia mund të shndërrohet shumë shpejt në një nga destinacionet më të lakmuara turistike në jug të vendit, duke tërhequr vizitorë vendas dhe të huaj, si dhe investitorë të fuqishëm ndërkombëtarë.
Ndërkohë, fshati i Akërnisë, i cili vitet e fundit ka përjetuar një ikje masive të banorëve për shkak të mungesës së mundësive ekonomike, po sheh shenja ringjallje.
Investimet e pritshme nga vajza e presidentit amerikan Donald Trump, kanë rikthyer shpresat dhe kanë shtuar optimizmin për banorët e Akërnisë që ndodhen në emigrim, me qëllim investimin në vendlindje në fushën e turizmit.
Për mikrofonin e NeWs24, banorët thonë se mundësia e investimeve në Akërni janë mirëpritur pozitivisht duke shpresuar në zhvillimin ekonomik të zonës dhe të ardhmen e saj, e e cila duket se do të jetë e lidhur ngushtë me zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.
