Tirana mirëpret sot Samitin “Ukrainë – Europa Juglindore”, organizim që do t’i bashkohen shumë liderë europianë, por dhe të rajonit. I pari që mbërriti në vendin tonë ishte presidenti ukrainas, Zelensky, i cili mbërriti mbrëmë para pak mesnate në tokën shqiptare.

Ftesës i është përgjigjur pozitivisht dhe presidenti Serbisë Aleksandër Vuçiç, ndërkohë, Kosova përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, Jakov Milatović i Malit të Zi, Stevo Pendarovski i Maqedonisë së Veriut, kryeministri kroat, Andrej Plenkovic dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Borjana Kristo.

Ndërkohë krerët e shtetit të Turqisë, Greqisë, Rumanisë dhe Bullgarisë do të adresojnë fjalën e tyre nëpërmjet një videomesazhi.

Samit do të bashkëdrejtohet nga Rama e Zelensky, ndërsa ka si qëllim që në 2-vjetorin e sulmeve ruse në Ukraine t’i tregojë kësaj të fundit mbështetjen e të gjithë vendeve të Europës Juglindore. Sakaq, përfaqësuesi i Bashkimit Europian që do të marrë pjesë në samitin e 28 Shkurtit do të jetë Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varheyli, i cili do të drejtojë edhe samitin e 29 shkurtit po në Tiranë ku do të diskutojë me liderët e Ballkanit Perëndimor për fondin e rritjes ekonomike që Brukseli ka vendosur në dispozicion të rajonit tonë për një sërë projektesh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: