Ish-kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, në një intervistë për News24, deklaroi se të gjitha palët politike janë të kënaqura nga zgjedhjet, ndërsa vendi ndodhet në një gjendje stanjacioni.

Ai kritikoi “bashkëjetesën” e fshehtë mes mazhorancës dhe opozitës, duke e quajtur sistemin aktual “regjim tango”.

Sipas tij, mungesa e ideve të reja dhe mbajtja e pushtetit nga të njëjtët liderë po e çon vendin drejt një boshatisjeje sociale dhe ekonomike. Kadilli apeloi për një lëvizje përbashkuese dhe strategji zhvillimi, që mund të sjellë ndryshim real në Shqipëri.

Ish-kandidati për Partinë Demokratike, Fatbardh Kadilli: Të gjithë janë të kënaqur nga zgjedhjet, edhe PD. Që të gjithë kanë marrë diçka, që i kënaq. Berisha mori aq mandate, sa për të mbretëruar në opozitë. Edi Rama është rehat, fitoi mandatin e katërt. Edhe media është “rehat”, mjafton pak sherre në parlament dhe audiencën e ka gati. Të gjithë jemi rehatuar në këtë gjendje jo të mirë të Shqipërisë. Gjithë shoqëria i është dorëzuar rehatisë.

Kryeministri tha se rotacioni nuk është i domosdoshëm, kjo është ide diktatoriale, sepse edhe njeriut të mençur vjen një moment që i shterojnë idetë. Ky është ‘regjim tango’, ku të dyja palët kanë ndarë të mirat. Populli është mpirë nga teatri politik, kur sheh që këta konfliktohen me njëri-tjetrin, por realisht janë bashkë. Janë të lumtur, deri kur populli do reagojë. Ministër për çdo gjë është Rama vetë, ai kontrollon çdo gjë. Politikisht ka shteruar Edi Rama dhe Sali Berisha. Edhe Rama të njëjtën ide paraqet prej 20 vitesh, atë të pastrimit të territorit nga ndërtimet pa leje.

Deputetët nuk kanë më ide, të gjithë janë në një vijë, mendojnë si Rama ose Berisha, në varësi se në cilin kah janë. Nëse vijon kjo politikë, në 10 vite, Shqipëria do duket si vend i shkretuar. Duhet të kemi strategji, që të kemi ekonomi konkurruese. Duhet një lëvizje përbashkuese, që të bëhet  një ndryshim. Gjëja e re vjen kur secili heq diçka nga vetja. Nëse bën takim përbashkues me idenë që çfarë do marr unë, atëherë ke dështuar. Ka shumë rëndësi dhe qëllimi, nëse dikush rri në politikë vetëm për karrige, më vjen keq, por nuk funksionon kështu.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: