Kuvendi do të shqyrtojë në seancën plenare të së enjtes marrëveshjen e ratifikimit të pranimit të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes.
Karta garanton ruajtjen e sovranitetit të shteteve anëtare, duke parashikuar se asnjë dispozitë e saj nuk i jep Bordit juridiksion brenda territorit të një shteti anëtar dhe as nuk e detyron një shtet anëtar të marrë pjesë në një mision specific ndërtimi paqeje pa pëlqimin e shprehur të shtetit.
Në kreun e parë të projektligjit, parashikohet krijimi i Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare, me misionin për të ushtruar funksione të ndërtimit të paqes, stabilitetit dhe rindërtimit në territore të prekura nga konflikti, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe dispozitat e Kartës së tij themeluese.
Kreu II parashikon anëtarësimin në Bord nga shtetet anëtare, në bazë të ftesës nga kryetari dhe njoftimit formal të pëlqimit për të qenë të lidhur nga kjo Kartë,
“Shtetet mund të përfaqësohen në Bord nga Kreu i shtetit ose Kreu i qeverisë. Karta garanton ruajtjen e sovranitetit të shteteve anëtare, duke parashikuar se asnjë dispozitë e saj nuk i jep Bordit juridiksion brenda territorit të një shteti anëtar dhe as nuk e detyron një shtet anëtar të marrë pjesë në një mision specific ndërtimi paqeje pa pëlqimin e shprehur të shtetit”, thuhet në projektligj.
Në draftin e qeverisë, thuhet se karta përbëhet nga 13 krerë që rregullojnë krijimin dhe funksionimin e tij.
Ndërsa çdo shtet anëtar ka një mandat trevjeçar nga data e hyrjes në fuqi të Kartës, subjekt i rinovimit nga Kryetari i Bordit të Paqes.
“Ky afat trevjeçar nuk zbatohet për shtetet anëtare, të cilat kontribuojnë më shumë se një miliard dollar amerikanë (1 000 000 000 USD) në fonde monetare (“cash”) brenda vitit të parë nga hyrja në fuqi e Kartës”, thuhet në draftin ligjor të qeverisë.
Institucionet përgjegjëse për zbatimin
Për zbatimin e projektaktit ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Për zbatimin e marrëveshjes bashkëpunojnë Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Institucionet kontribuuese
Projektakti është hartuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, mbi bazën e informacionit të përcjellë nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Uashington.
Marrëveshja është iniciativë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetet nga rezoluta nr. 2803 (2025), datë 17.11.2025, e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Vlerësimi financiar
Miratimi i projektaktit nuk sjell, në këtë fazë, efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit.
Kontributi vullnetar i Republikës së Shqipërisë në kuadër të Kartës së Bordit të Paqes do të parashikohet në buxhetin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2026 dhe në programimet buxhetore afatmesme për periudhën 2027–2029.
