Debutim aspak pozitiv për trajnerin italian Carlo Ancelotti në pankinën e Brazilit. Ndeshja e parë e tij në kualifikueset për Botërorin 2026 përfundon me një barazim pa gola 0-0 ndaj Ekuadorit në Guayaquil, duke lënë Brazilin në vendin e katërt në renditjen e zonës së Amerikës së Jugut me 22 pikë. Megjithëse rezultati nuk është pozitiv, Ancelotti është shprehur i kënaqur me paraqitjen mbrojtëse të skuadrës, sidomos në krahasim me humbjen 1-4 ndaj Argjentinës në ndeshjen e kaluar.
Brazilianët zhvilluan një ndeshje pa shumë raste. Në minutën e 21-të, Vinicius Júnior pati mundësinë më të mirë, por u ndal nga portieri Valle pas një aksioni të nisur nga Estêvão dhe Richarlison. Ekuadorianët arritën të mbroheshin mjaft mire më pas gjatë fraksionit të dytë, duke e ruajtur portën e paprekur.
Tjetër sukses i kampionëve të Botës në fuqi, me Argjentinën që kalon në transfertë Kilin me rezultatin minimal 0-1 në transfertë. Në fitoren e Argjentinës ndaj Kilit, u shënua debutimi historik i Franco Mastantuono, mesfushor ofensiv i River Plate, i cili me moshën 17 vjeç, 9 muaj e 22 ditë, u bë lojtari më i ri në histori që luan për Argjentinën në një ndeshje zyrtare. Ai është shumë pranë transferimit te Real Madrid. Gol I vetëm që rezultoi të ishte dhe goli i fitores për të besuarit e Scalonit u realizua nga Julian Alvarez në minutën e 16.
Në grupin eleminator të Amerikës Latine vijon të kryesojë bindshëm Argjentina me 34 pikë e ndjekur nga Ekuadori me 24 pikë, I cili kujtojmë vuan edhe një penalizim prej -3 pikësh për përdorim të parregullt të një lojtari në kualifikueset për Kupën e Botës 2022 (në fushë ka grumbulluar 27 pikë).Paraguai është i treti me 24 pikë pas fitores 2-0 ndaj Uruguait.
Brazili ka 22 pikë dhe rrezikon të zbresë në vendin e pestë nëse Kolumbia (20 pikë) fiton ndaj Perusë të premten në mbrëmje.
Kujtojmë që 6 skuadrat e para kualifikohen direkt për Botërorin 2026, ndërsa vendi i shtatë shkon në “play-off”.
