Real Madrid frenon atëherë kur më pak pritej, në transfertë përballë Rayo Vallecano. Balliu me shokë ndalin mbretërorët duke rihapur edhe një herë garën në La Liga. Për momentin, Ancelotti dhe të besuarit e tij qëndrojnë në krye me 62 pikë, por Girona ndodhet aty, 6 pikë larg dhe me një ndeshje në dispozicion.

Joselu kaloi Realin në avantazh që në minutën e 3-të duke krijuar iluzionin se kjo sfidë do të shkonte në rrjedhën e duhur, por Rayo iu përgjigj shpejt teksa De Tomas barazoi shifrat në minutën e 27-të duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Në fraksionin e dytë, Reali provoi në çdo formë të dilte me pikë të plota nga kjo transfertë, por pa sukses. Në fund, Carvajal u ndëshkua me karton të kuq. Carlo Ancelotti ishte i qartë në konferencë për shtyp, duke theksuar se nëse një ndeshje nuk e fiton dot, mirë është të mos humbasësh:

“Nuk e nisëm mirë, por nuk zgjati shumë. Më pas shënuam golin e epërsisë. Deri në momentin e penalltisë luajtëm shumë mirë. Pastaj gjithçka ndryshoi. Ishte një tjetër ndeshje, me shumë duele dhe nuk ishte e lehtë për të kërkuar ide. Barazimi nuk na lë shije të mirë. Këtu, ne duhet të fitojmë çdo ndeshje. Por për të fituar kampionatin, nuk duhet të humbasësh ndeshjet që s’mund t’i fitosh. Mendoj se është një hap i rëndësishëm për të fituar La Ligan”, u shpreh Ancelotti pas ndeshjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb