Egnatia po kalon një periudhë të çuditshme në këtë sezon, sidomos sa i përket përballjeve direkte me rivalët kryesorë për “Final 4”. Edhe pse skuadra e Tetovës ka ruajtur stabilitetin në renditje dhe vazhdon të mbetet në zonën e objektivit, statistikat tregojnë se kampionët në fuqi po hasin vështirësi serioze kur përballen me ekipet e mëdha të kampionatit.

Vllaznia, Elbasani dhe Dinamo, tre pretendentët e tjerë për fazën finale, janë kthyer në “makthe” për rrogozhinasit, të cilët nuk kanë arritur ende asnjë fitore ndaj tyre. Gjithsesi, ngërçi me rivalët është një sinjal alarmi, por jo fundi i botës për Egnatian.

BILANCI – Shifrat flasin vetë: në pesë ndeshje të zhvilluara deri më tani kundër tri rivalëve direkt, Egnatia nuk ka fituar asnjëherë. Bilanci është zhgënjyes, dy humbje dhe tre barazime, që përkthehen në vetëm tre pikë nga 15 të mundshme. Me Elbasanin, skuadra e Tetovës ka marrë një humbje dhe një barazim, në dy ndeshje ku loja ka qenë e luftuar, por mungesa e efikasitetit ka kushtuar rëndë.

Kundër Vllaznisë, historia është e njëjtë, një barazim dhe një humbje, të dyja ndeshje ku Egnatia ka lënë përshtypjen e një ekipi që krijon, por nuk arrin të konkretizojë. Ndërsa përballja e vetme me Dinamon ka përfunduar gjithashtu në barazim, një tjetër sinjal që kampionët kanë vështirësi kur përballen me skuadra të organizuara dhe me pretendime të larta. Në total, një ecuri që bie në kontrast të fortë me paraqitjet kundër ekipeve të tjera të kampionatit, ndaj të cilave Egnatia ka marrë rezultate të mira dhe ka treguar efikasitet.

SIMPTOMË PRESIONI – Ajo që e bën edhe më paradoksale situatën është fakti që në të gjitha përballjet me rivalët direkt, Egnatia ka marrë nga një karton të kuq. Një detaj që nuk mund të kalojë pa u vënë re dhe që flet shumë për tensionin që e shoqëron skuadrën në ndeshjet e mëdha. Qoftë për shkak të presionit të rezultatit, qoftë për nervozizëm në momentet kyçe, kampionët kanë treguar mungesë qetësie, gjë që shpeshherë i ka penalizuar.

Në futboll, detajet bëjnë diferencën dhe për Egnatian këto detaje janë kthyer në një problem të përsëritur: më shumë emocione sesa kontroll, më shumë nxitim sesa qetësi. Ky ngërç nuk është vetëm teknik, por edhe psikologjik. Egnatia duket sikur ende nuk e ka gjetur mënyrën për të “dominuar” ndeshjet e mëdha, siç bënte një sezon më parë. Rivalët e dinë forcën e kampionëve dhe përgatiten ndryshe ndaj tyre, ndërsa rrogozhinasit, në përpjekje për të konfirmuar statusin, shpesh bien pre e presionit. Kjo ndoshta shpjegon edhe pse skuadra e Tetovës shfaq dy fytyra, një Egnatia bindëse ndaj pjesës tjetër të kampionatit dhe një Egnatia e tensionuar ndaj skuadrave të “Final 4”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb