Universiteti i Arteve po përballet me një ngërç institucional që lidhet me dhënien dhe zbatimin e titujve akademikë për stafin pedagogjik.
Në vitin 2021, institucioni fitoi një status të veçantë si universitet me profil artistik, me vendim të Këshillit të Ministrave. Më pas, në vitin 2024, Senati Akademik miratoi vendimet për promovimin e një pjese të pedagogëve, duke u dhënë tituj të rinj, përfshirë “Profesor i Asociuar në Arte”. Megjithatë, sipas pedagogëve, këto vendime nuk janë reflektuar as në aspektin financiar dhe as në atë administrativ.
I ftuar në News24, tenori dhe njëkohësisht asistent lektori në universitet, Josif Gjipali deklaroi se situata ka arritur në një pikë kritike, duke ndikuar edhe në funksionimin bazë të universitetit.
Sipas tij, ligji kërkon që çdo departament të ketë të paktën tre pedagogë me tituj akademikë, por bllokimi i procesit nga institucionet përgjegjëse ka krijuar vështirësi serioze.
Gjipali shpjegoi se pas një vendimi të Këshillit të Ministrave që i jepte të drejtën universitetit të vlerësonte edhe karrierën artistike krahas asaj akademike, nisi procedura për dhënien e titujve. Dosjet u shqyrtuan dhe u miratuan nga Senati, por procesi mbeti i bllokuar në fazën e zbatimit.
“Edhe pse Senati ka marrë vendimet, ato duhet të kalojnë në Bordin e Administrimit për efektet financiare, dhe këtu ka mbetur peng procesi. Ne ende nuk i kemi marrë titujt”, u shpreh ai.
Pedagogu theksoi gjithashtu një paradoks në sistemin aktual, ku artistët që arrijnë sukses në karrierë mbeten pa tituj akademikë, ndërsa të tjerë që ndjekin vetëm rrugën akademike i përfitojnë ato më lehtë.
Sipas tij, situata lidhet më shumë me interesa të ngushta sesa me zbatimin korrekt të kuadrit ligjor, duke kërkuar zgjidhje përfundimtare për të shmangur bllokimin e mëtejshëm të institucionit.
