Komisionin Hetimor për shkarkimin e Metës është mbledhur sot, ku po diskuton në lidhje me pretendimet e mazhorancës se Presidenti ka shkelur ligjin. Gjatë fjalës së saj anëtarja dhe deputetja e PS-së, Klotilda Bushka ka propozuar që çështja t’i çohet për opinion Komisionit të Venecias, ashtu siç ndodhi me dekretin për anulimin e 30 qershorit.

Krahas kësaj ky veprim duhet të marrë miratimin e Komisionit ndërsa Klotilda Bushka ka shfaqur dhe 5 pyetjet që do i drejtojë mazhoranca.

1-A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues, kur ai apo ajo në konsiderohen të emëruar. Në këtë rast a konsiderohet e cënuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën?

2-Emërimi i një gjyqtari Kushtetues, tej afatit prekluziv 30 ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të emëruar të miratuar nga KED a e cënon parimin e Gjykatës së krijuar me ligj, a ndikon kjo në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancinë e shtetasve për një proces të rregullt ligjor
A bie ndesh kjo frymën e mekanizmave zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese ?

3-A është në përputhje me standardet më të mira zbatimi i mekanizmit zhbllokues pas mosveprimit të Presidentit për të emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin Kushtetues, si rrjedhojë e të cilit konsiderohet e emëruar ky gjyqtar?

4-Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues nisur nga solemniteti i betimit si akt, çfarë mekanizmi mund të përdoret për ta zhbllokuar një situatë të tillë? A është betimi me shkrim për të plotësuar kushtin e betimit për të filluar ushtrimin e detyrës në situatën kur konsiderohet i emëruar për efekt të ligjit?

5-Cilat mund të ishin zgjidhjet të standardeve më të mira për të shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të thërrasë për betim zyrtarin përkatës?

Ndërkohë kryetari i Komisionit, Ulsi Manja tha se; “Nëse i keni pesë pyetjet atëherë kjo është vetëm procedurë. Ne ia çojmë Kuvendit dhe më pas ata vendosin nëse do t’ia çojnë për opinion dekretin e Metës për Marsida Xhaferllarin apo jo”. Mazhoranca, KED dhe Presidenca u përplasën për Kushtetuesen për listat e dërguara nga KED Kuvendit si dhe Presidencës.

Meta refuzoi të zgjedhë kandidatin e dytë të tij, ndërkohë Arta Vorpsi kaloi automatikisht si e para në listë pas mosveprimit të Presidentit, i cili më parë dekretoi Besnik Muçin. Më pas, pasi Kuvendi zgjodhi dy anëtarët e tij, Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin, Meta dekretoi Marsida Xhaferllarin duke ‘nxjerrë jashtë loje’ Arta Vorpsin. Për shkak të këtij ngërçi, ambasadori italian Cutillo dhe ambasada e SHBA bënë thirrje që kjo çështje t’i dërgohet për opinion Venecias.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb