Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbahet sa më shpejt, duke theksuar nevojën për tejkalimin e ngërçit institucional.

Deputetët e PDK-së dhe AAK-së kanë kërkuar që seanca e Kuvendit të vazhdojë në orën 11:00, ndërsa LDK-ja, pas tërheqjes nga negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje, ka deklaruar se nuk ka më arsye për vonesa në konstituimin e institucioneve.

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, tha se partia e tij i ka bërë kërkesë zyrtare kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive.

“Ai ta ushtrojë detyrën e vet në bazë të rregullores së punës së parlamentit, ta respektojë ligjin, ta respektojë Kushtetutën dhe ta thërrasë seancën në mënyrë që të konstituohet parlamenti dhe të kemi normalitet”, deklaroi Tahiri.

Ai u bëri thirrje edhe subjekteve të tjera politike që të marrin pjesë në seancë.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, e ka cilësuar situatën aktuale si “emergjencë kombëtare”, duke pretenduar se po rrezikohet rendi kushtetues dhe funksionimi i institucioneve demokratike.

Tahiri paralajmëroi se, nëse vazhdon pamundësimi i ushtrimit të mandatit të deputetëve, opozita mund të ndërmarrë edhe veprime të tjera politike, pasi të shterohen rrugët institucionale.

Në anën tjetër, LDK-ja të enjten njoftoi tërheqjen nga negociatat me Vetëvendosjen dhe hoqi dorë nga kërkesat për përfshirje në Qeveri, Kuvend apo Presidencë. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij kërkon vetëm që presidenti i ardhshëm të jetë konsensual dhe jopartiak.

Abdixhiku theksoi se pas këtij vendimi nuk ka më arsye për vonimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë.

“Askush nuk ka më arsye, as alibi dhe as të drejtë ta vonojë konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe nisjen e bisedimeve për zgjedhjen e presidentit të Republikës”, deklaroi ai.

Vazhdimi i seancës konstituive mbetet hapi i parë për funksionalizimin e legjislaturës së re dhe për daljen nga ngërçi institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb