Presidentja Vjosa Osmani ka nisur të enjten takimet me shefat e partive parlamentare, në përpjekje për ta zhbllokuar ngërçin politikë, pas dështimeve të njëpasnjëshme të deputetëve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës edhe tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare.
Në takim që pritet të nisë së shpejti do të marrin pjesë Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët u panë duke hyrë në zyrën e presidentes.
Pas takimit me ta, Osmani do të zhvillojë bisedime me pakicat në orën 15:00. Takimi vjen në ditën kur deputetët nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin as në tentimin e gjashtëmbëdhjetë pikërisht një muaj pasi filluan përpjekjet për shkak të ndarjeve politike. Konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm për të hapur rrugë për formimin e Qeverisë së re.
Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.
Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.
Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.
Për krijimin e institucioneve të reja nevojitet arritja e ndonjë marrëveshjeje politike, duke parë se asnjëra parti nuk e ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme.
Vetëvendosje i ftoi 48 ulëse, PDK 24, LDK 20, koalicioni AKK-NISMA 8, Lista Serbe 9, Partia për Drejtësi dhe Mbijetesë 1 dhe pakicat joserbe 10. Në prag të takimit të së enjtes, Osmani u takua me të ngarkuarën me punë të Ambasadës e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Anu Prattipati
Presidenca tha në një njoftim për media se ky ishte takim i rregullt mes tyre dhe se në të u diskutua për “rëndësinë e konstituimit sa më parë të institucioneve të Kosovës dhe për pasojat me të cilat përballet vendi ynë për shkak të kësaj zvarritjeje”./ REL
(BalkanWeb)
