Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu tha sot në “Programin e Drekës” në News24, me Ola Bruko se shpërthimi i Gërdecit në 15 mars të 2008-s, u paralajmërua nga agjencitë e zbulimit të NATO-s. Mediu rrëfeu atë që është konsideruar si një kërcënim nga presidenti rus, Vladimir Putin i cili ishte shprehur se zgjerimi i NATO-s ishte një kërcënim për Rusinë.

Një informacion i mbërritur tek drejtuesit e Shërbimit Informativ të Ushtrisë nga selia e NATO-s në Bruksel, 3 javë para shpërthimit të Gërdecit, Mediu tha se nuk u analizua siç duhej nga autoritetet dhe marrja e masave parandaluese mungoi. Ai shtoi gjithashtu se ngjarja tragjike u përdorur politikisht nga opozita e kohës dhe vazhdimisht ‘ngacmohen’ familjarët për atë që ai e cilësoi “një ndjenjë e cila tejkalon drejtësinë dhe vinte me interes politik”.

Fatmir Mediu: Ka një fakt të dokumentuar dhe të deklaruar në procesin gjyqësor. 3 javë para ngjarjes, bashkë me drejtorin e SHIU kemi qenë në Bruksel, në një takim me drejtorin e zyrës së inteligjencës, është drejtuar gjithnjë nga përfaqësues të SHBA. Na është thënë duhet të ruheni nga ndonjë ngjarje, para anëtarësimit në NATO. Putin e tha në konferencën e Mynihut se zgjerimi i NATO-s është kërcënim për Rusinë. Po ashtu gjatë darkës, nëndrejtoresha ia ka përsëritur drejtorit të SHISH, duke i thënë se kemi marrë këtë sinjal nga NATO. Nuk është se ka patur një përgjigje apo analizë me këtë çështje. Ka patur edhe informacione të tjera që nga pikëpamja e sigurisë kombëtare nuk janë analizuar për të thënë që ka patur apo nuk ka patur, por përdoren interesa politike për gjueti politike shtrigash për të ngacmuar familjarët për një ndjenjë e cila tejkalon drejtësinë dhe vinte me interes politik. Nga 2008 është kthyer në një ngjarje politike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb