TIRANE- Ishte 29 marsi i vitit 2001 kur Marjan Rroku qëlloi për vdekje mbi 16- vjeçaren Alda Canaj dhe nënën e saj Mbarimen. Ngjarja e rëndë ndodhi para Pallatit të Sportit në kryeqytet. Në atë kohë, Marjani 27-vjeçar e kreu vrasjen makabër me armën e tij të punës. Rroku ishte agjent i SHIK-ut. Në atë kohë, mediat shqiptare raportuan se krimi ndodhi pasi autori kishte qenë në një lidhje dashurie me viktimën. Ndërsa, pas shpalljes së tij në kërkim ndërkombëtar, mediat e huaja shkruan se Marjan Rroku kishte pasur si qëllim trafikimin e vajzës jashtë vendit. Gjithashtu, në shkrimet e botuara në atë kohë, u përfol se Rroku përndiqte dhe ngacmonte Aldën për muaj me radhë përpara se të qëllonte për vdekje atë dhe nënën e saj.
Menjëherë pas vrasjes, Marjani u zhduk. Vetëm një vit pas vrasjes, Rroku u gjykua në mungesë dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Më vonë u zbulua se ai kishte hyrë në SHBA që atë vit, në 2001-shin, duke përdorur një pasaportë sllovene nën identitetin e rremë, ku njihej si Jeton Mirakaj. Atje ai krijoi një jetë të re. Gjeti punë dhe krijoi familje, ku nga martesa e tij lindi edhe një djalë. Kevin Connolly, marshall në SHBA, në vitin 2004 nisi kërkimet për të gjetur të kërkuarin ndërkombëtar Marjan Rroku.
Në atë kohë, ai kishte shumë pak informacion se ku fshihej Rroku. I dënuari përjetë u arrestua 10 vite pas krimit të kryer, në një apartament ku jetonte së bashku me djalin dhe bashkëshorten e tij. Kjo e fundit nuk kishte qenë në dijeni të faktit se Toni Mirakaj (ashtu siç e njihte ajo) kishte qenë në kërkim ndërkombëtar për vrasje. Vetëm një ditë pasi Connolly arrestoi të shumëkërkuarin, ai ndaloi në Virginia për të takuar Ornelën (motrën e Aldës) dhe si dhuratë i dha prangat me të cilat kishte prangosur Marjan Rrokun.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
